Një artikull nga Gazeta “Informer”, medium që e mbështet në mënyrë të pabesueshme Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka bërë një krahasim mbi ‘preferencat personale’ të kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Portali serb ka publikuar një “analizë” të ngarkuar me spekulime e fantazi, duke e portretizuar Melonin si të “magjepsur” pas liderit serb, ndërsa ndaj Edi Ramës aty thuhet se ajo shfaqet e “akullt dhe përbuzëse”.
Gjithçka nisi nga një moment në samitin e fundit në Tiranë, ku kryeministri shqiptar Edi Rama, për ta përshëndetur në mënyrë teatrale Melonin, gjunjëzohet dhe bashkon duart para saj.
Sipas medias serbe, Meloni është “neveritur” nga veprimi i Ramës, ndërsa në një vijë tërësisht të kundërt, ajo “shkëlqen” sa herë ndodhet pranë Aleksandar Vuçiqit. “Energjike, buzëqeshëse dhe me shikim të thellë dashurie”, thuhet në artikull.
“Meloni zbulon më shumë nga sa dëshiron të tregojë. Pranë Vuçiqit duket e hapur, entuziaste dhe flirtuese. Pranë Ramës – e ftohtë si akulli. Dallimi është evident,” shkruan media serbe.
Artikulli përmbyllet me shkrimin: “Meloni i do meshkujt e vendosur, seriozë dhe liderë të vërtetë. Dhe të tillë ka më shumë në Serbi.”