Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur sot në vizitë Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, e cila shkoi në Shtabin e KFOR-it e shoqëruar nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
KFOR tha se vizita e Kallasit ishte një mundësi unike për “të shkëmbyer pikëpamje – në nivelin më të lartë përfaqësues – mbi stabilitetin rajonal, bashkëpunimin NATO-BE në Ballkanin Perëndimor dhe mbi rolin strategjik të diplomacisë ndërkombëtare në rigjallërimin e Dialogut Beograd-Prishtinë”.
“Në veçanti, Gjenerali Barduani theksoi rolin parësor të koordinimit të ngushtë midis KFOR-it dhe Bashkimit Europian në zgjidhjen e çështjeve të mbetura që ende pengojnë arritjen e një mjedisi plotësisht të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, tha KFOR.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.