Në Kuvendin e Kosovës kanë filluar të vijnë deputetët për përpjekjen e radhës për konstituim të legjislaturës së nëntë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agim Bahtiri ka ritheksuar se janë të gatshëm për zhbllokim të kësaj situatë.
Ai foli para mediave, para fillimit të seancës, ku u pyet se cilat janë pritjet për mbledhjen e sotme.
“Ta shohim çfarë po thotë opozita. Ne çdo herë jemi të gatshëm për të dhënë kontribut, për të zhbllokuar këtë situatë”, u shpreh Bahtiri.
Deputeti i LVV-së tha se nuk është i njoftuar sa i përket deklaratave të Duda Baljes, e cila ka thënë se ka marrë ofertë nga Maqedonia e Veriut për profesoreshë në këmbim të votës për kryeparlamentar.
“Nuk jam i njoftuar këtë, por ne po bëjmë përpjekje, po apelojmë të gjithë njerëzit e devotshëm, njerëzit që ja donë të mirën këtij vendi, sidomos ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve që të zhbllokojnë situatën dhe të ecim përpara sepse na presin shumë punë”, shtoi ai.
Bahtiri ripërsëriti deklaratën e koalicioni LVV, Lista Guxo dhe Aleternativa nuk janë bllokues të kësaj situate.
“21 orë janë shumë, jo 21 ditë… Ne jemi çdo herë pro, nuk jemi bllokues, por po dihet kush është bllokuesi”, përfundoi ai.
Seanca është planifikuar të fillojë në orën 11:00.