Studentët protestues serb edhe më radikalë se Vuçiqi rreth Kosovës

by Nexhat

Derisa protestat studentore në Serbi po portretohen si e kundërta e regjimit të Vuçiqit, diskursi i tyre kundrejt Kosovës është edhe më radikal. ‘Kritikat’ e tyre ndaj pushtetit aktual janë kundër bisedimeve me Kosovën. Në sytë e studentëve të fakulteteve të Juridikut, marrëveshjet e arritura në Bruksel, Washington e Ohër janë ‘veleizdaja’ (tradhti e lartë). Juristët e ardhshëm serbë, po ashtu, i referohen Republikës së Kosoves me cilësimin ‘takozvana’ (e ashtuquajtur).

26 maj 2025 – Studentët protestues në Serbi nuk duket se dallojnë substancialisht prej politikës serbe karshi Kosovës.

Studentët e fakulteteve juridike në universitetet e Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevcit ia kanë mbledhur ‘betë’ presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për atë që e kanë quajtur si tradhti ndaj popullit serb.

Juristët e ardhshëm serbë kanë përgatitur një dokument me anë të të cilit, siç kanë thënë ata, kanë analizuar politikën e qeverisë serbe.

Në vlerësimin e tyre, Serbia e ka njohur Republikën e Kosovës, gjë për ta është vlerësuar si ‘veleizdaja’ (tradhti e lartë).

Në një deklaratë të afishuar në Instagram, të quajtur “Si e tradhtova popullin serb – nga marrëveshja e Brukselit deri te ajo e Ohrit”, e dedikuar për Aleksandar Vuçiqin, ata kanë akuzuar qeverinë serbe se ka braktisur Rezolutën 1244.

Në deklaratë thuhet se Partia Progresive e Vuçiqit fillimisht premtoi fundin e bisedimeve në Bruksel nëse do të vinte në pushtet.

Studentët, të cilët po i mbajnë të bllokuara ndërtesat e fakulteteve të tyre, e kanë cilësuar Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar më 19 prill 2013, si antishtetërore dhe antikushtetuese.

Në vlerësimin e tyre, Bashkësia e Komunave Serbe nga kjo marrëveshje ka ndjeshëm më pak pushtet sesa ajo që parashihet në Rezolutën 1244.

Sipas tyre, “Republika e Serbisë ka hequr dorë nga interesat e saj ligjore e legjitime të bazuara në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që ende është në fuqi, por nuk zbatohet, jo vetëm pse u cenua prej fuqive perëndimore, por edhe për shkak të veprimeve të padenja e jokonsistente të vetë Republikës së Serbisë, që gjë mund të përkufizohet vetëm në një mënyrë si tradhti e lartë.”

Studentët e fakulteteve juridike po ashtu e kanë vënë në thumb të kritikave Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik të nënshkruar më 4 shtator 2020.

“Kur kjo marrëveshje shihet plotësisht në mënyrë objektive, është e qartë se Republika e Serbisë, me nënshkrimin e presidentit të saj, e njohu nënkuptueshëm dhe de facto të ashtuquajturën Republikë të Kosovës, si shtet të pavarur.”

Deklarata e studentëve ka vijuar më tej me kritika edhe ndaj bisedimeve për Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë të 27 shkurtit 2023, e quajtur fillimisht Marrëveshje franko-gjermane, e më pas Marrëveshje e Ohrit.

“Duke e përmbledhur krejt këtë, me zemër të rënduar duhet pranuar që hyrja e Serbisë në BE është njohje de jure e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, dhe se presidenti aktual i Serbisë është pjesë e një agjende që mund të quhet tradhti me shumë kuptime, ashtu siç thuhet në titullin e veprës së akademikut Kosta Çavoski”, përfundon kumtesa e studentëve serbë.

banner
banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy