Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës duhet të mbahen.
Kështu u tha të jenë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimet që i mbajtën veç e veç me ndërmjetësuesit e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kosovë, por “në përputhje me kornizën ligjore të vendit”.
“E kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit mund të them se ka shenja se ditët përpara do të jenë më të mira nga ato që kemi lënë pas ”, tha Kurti.
Kurti këmbënguli se ishte i gatshëm të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por ai kishte refuzuar.
“Kam ardhur të takohem me palën serbe për të diskutuar për hapat përpara, por meqë ky është një proces që përfshin dy palë, kjo nuk ishte e mundur”, shtoi Kurti, duke theksuar se është i gatshëm të jetë në bisedime derisa të gjendet një zgjidhje.
Borrell: Palët duhet t’u përmbahen detyrimeve
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, deklaroi se në takimet që i ka pasur të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.
Ai tha se kanë “identifikuar rrugë të mundshme përpara, por të dyja palët duhet t’u përmbahen detyrimeve të tyre”.
“Takimi i sotëm nuk u fokusua shumë në çka, por në atë se si dhe kur – si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen[palët] në dialog dhe t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit”, tha Borell të enjten.
“Takimi i sotëm nuk u fokusua shumë në çka, por në atë se si dhe kur – si të qetësohet situata në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen[palët] në dialog dhe t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit”, tha Borell të enjten.
Në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell tha se “nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës”.
Megjithatë, ai theksoi se “arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”.
Gjithashtu, Borrelli deklaroi t’i ketë thënë Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.
Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.EO
Borrell shtoi se do të jetë në kontakt të ngushtë me të dyja palët në ditët në vijim dhe se ai do të raportojë te ministrat e jashtëm të BE-së të hënën për “ku qëndrojmë dhe ku duhet të shkojmë”.
Vuçiq: Çdo gjë ka shkuar shumë larg
Pas takimit me ndërmjetësuesit e dialogut, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.
“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di… kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.
Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.
“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, tha tutje Vuçiq.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve. SHBA-ja po ashtu ka inkurajuar Kurtin që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veritë kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.
Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash. Plani i Kurtit parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.