Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se aktualisht nuk mendon të jap dorëheqje nga detyra e udhëheqësit të kësaj komune.
Ai theksoi se nuk kanë ndonjë thirrje për dorëheqje dhe sipas tij duhet të ketë arsye e rrugë ligjore për ta bërë këtë.
“Njëherë nuk po mendoj për dorëheqje se këto janë veç spekulime. Të bisedohet nuk mendoj, ne jemi duke punuar, njëherë për njëherë nuk kemi thirrje për dorëheqje”, tha Zeqiri një lidhje telefonike për KosovaPress.
Ai ka shtuar se mënyra e largimit të kryetarëve me peticion është një proces që merr më shumë kohë.
“Rrugët ligjore duhet të gjenden. Nuk ka dorëheqje. Njëherë nuk po mendojmë. Për dorëheqje duhet të gjendet rruga ligjore. Dorëheqjen nuk po e shoh të arsyeshme pa ndonjë arsye ligjore. Ne duhet me i gjet ligjërisht qysh është një rrugë ligjore që e ka përmendur edhe presidentja, por është një kohë më e gjatë për tjetër nuk e di, duhet gjetur, në të kundërtën nuk kemi arsye për të dhënë dorëheqje”, tha ai.
Sipas Zeqirit, kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore duhet të vazhdojnë të punojnë për aq sa kanë mundësi, pasi sipas tij, ka dyshime nëse zgjedhjet e parakohshme do të prodhojnë rezultat.
“Duhet me vazhdu me aq sa është e mundur sepse po të hymë sot në zgjedhje çfarë prodhojmë këtu është problem, arsyeja duhet të gjendet se a përmirëson kjo situatë me zgjedhje apo mund ta përkeqësoj situatën me zgjedhje. Unë për këtë them që rruga ligjore duhet të gjendet….Mund ta qetësojnë nëse ka marrëveshje dhe ka premisa se do të dalin të gjithë qytetarët ta kryejnë obligimin e vetë kushtetues për të votuar… Ne këto zgjedhje që i kemi kaluar kanë shkuar në rregull e pa eksese, ani pse ka pas bojkot, nesër mundesh me pas në start nuk mund as të organizosh zgjedhje se t’i ndalin komisionarët. Kështu që neve do t’i shikojmë marrëveshjet ligjore”, tha Zeqiri.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar dje në Bruksel me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se janë të hapur për zgjedhje të parakohshme në komunat veriore, por sipas tij ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.