Nga: Engelbert Zefaj, Profesor i Ekonomisë – i specializuar në Menaxhim të Biznesit
Kalimi i bizneseve të mesme dhe të mëdha në tregun e lirë të furnizimit me energji elektrike është një ndër vendimet strategjike më të rëndësishme të qeverive të mëparshme në Kosovë. Qëllimi ka qenë i qartë: rritja e përgjegjësisë së bizneseve për menaxhimin e burimeve të tyre dhe lehtësimi i barrës energjetike për konsumatorët tjerë, si amvisëritë dhe bizneset e vogla. Megjithatë, mënyra se si po implementohet ky vendim nga qeveria aktuale ka prodhuar pasoja të rënda dhe të paparashikuara për ekonominë e vendit.
Qasja Strategjike dhe Mungesa e Planifikimit
Në çdo menaxhim të mirëfilltë strategjik, planifikimi paraprak është bazë e domosdoshme për çdo veprim të mëtejmë. Vendimi për daljen në tregun e lirë kërkonte përgatitje të detajuar, koordinim ndërinstitucional dhe bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat.
Qeveria e Kosovës, në vend se të përpilonte një plan të qartë dhe të zbatueshëm, e ka tejkaluar këtë hap thelbësor, duke kaluar direkt në fazën e ekzekutimit. Kjo qasje përbën një devijim serioz nga parimet themelore të menaxhimit modern dhe krijon paqartësi sistematike në një sektor kyç si energjia.
Impakti në Bizneset dhe Ekonominë Kombëtare
Bizneset e mesme dhe të mëdha janë vënë në një pozitë të pafavorshme, të ekspozuara në një treg të lirë për të cilin nuk ishin as të përgatitura dhe as të informuara mjaftueshëm. Mungesa e udhëzimeve, e mbështetjes institucionale dhe e rregullimit të duhur të marrëdhënieve kontraktuale me furnizuesit ka bërë që shumë prej këtyre bizneseve të përballen me:
– Kosto të papërballueshme për energji elektrike
– Pasiguri për funksionimin e rregullt të prodhimit
– Rrezik të drejtpërdrejtë të falimentimit
– Reduktim të investimeve dhe shkurtim të vendeve të punës
Ky është një dështim jo vetëm në nivel të menaxhimit qeveritar, por edhe në garantimin e stabilitetit ekonomik kombëtar.
Përgjegjësia Institucionale
Në këtë situatë, lind pyetja legjitime: a ka qenë kjo neglizhencë e paqëllimshme, apo një vendim i qëllimshëm për të shmangur përgjegjësinë dhe për t’ia lënë barrën tregut? Cila do që të jetë përgjigjja, një gjë është e qartë – vendimet strategjike nuk mund të ekzekutohen me improvizim.
Qeveritë, pa dallim partie, kanë për detyrë të krijojnë kushte të barabarta për të gjitha palët e përfshira dhe të ndërtojnë politika që mbështeten në analiza të qëndrueshme dhe dialog të hapur me sektorin privat.
Çfarë do të duhej të sigurojë një qeveri e përgjegjshme?!
– Hartimi i një Plani Kombëtar për Tregun e Lirë të Energjisë – në bashkëpunim me sektorin privat dhe rregullatorët.
– Krijimi i një mekanizmi ndërmjetësues për bizneset – për t’i ndihmuar në negocimin dhe lidhjen e kontratave me furnitorët.
– Faza kalimtare dhe subvencione të përkohshme – për të minimizuar ndikimin financiar në bizneset në periudhën e tranzicionit.
– Rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale – për vendimet strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në sektorin privat.
Vendimet strategjike si kjo me tregun e lirë për furnizim me energji elektrike nuk janë të dëmshme për vetë natyrën e tyre, por bëhen të tilla kur implementohen pa plan, pa dialog dhe pa përgjegjësi. Në vend që të krijojnë mundësi zhvillimi, ato shndërrohen në barrë për ekonominë dhe në kërcënim për qëndrueshmërinë sociale.
Kosova ka nevojë për një qeverisje që mendon para se të veprojë, që planifikon para se të zbatojë dhe që dëgjon para se të vendosë.
Nëse duam të krijojmë një ekonomi konkurruese, nuk ka rrugë tjetër veçse të menaxhojmë në mënyrë profesionale dhe të planifikojmë me përgjegjësi.