Shtëpia Botuese “TENDA”, vitin e kaluar ka themeluar Takimet dhe Çmimet pёr kulturë, publicistikë dhe gazetari me emrin e shkrimtarit Teki Dërvishi me qëllim të promovimit dhe mbështetjes së kulturës shqiptare.
Sipas Femi Cakollit, editor i SHB “TENDA” , për çdo vit do të përzgjidhen tre emra krijues nga kultura dhe për kulturën shqiptare qofshin nga hapësirat shqiptare ose jashtë saj, autorë shqiptarë ose të huaj, që kanë dëshmuar me vite të tëra dije e përkushtim, ndikim e angazhim profesional dhe krijues në këto fusha:
- Mendim shqiptar, albanologji dhe publicistikë
- Krijimtari letraro-gjuhësore, teatër dhe arte tjera
- Gazetari, humanizëm dhe jetëndryshim
Tutje z. Cakolli ka shpjeguar se Takimet dhe Çmimet “Teki Dërvishi” do të mbahen për çdo vit mes datës 25-30 qershor në përkujtim të kalimit në amshim të prozatorit dhe intelektualit T. Dёrvishi, duke filluar prej kësaj here që takimin e parë do ta mbajmë më 25 qershor 2025, prej orës 11 në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, në Prishtinë.
Sipas tij arsyeja e përzgjedhjes së emrit “Teki Dërvishi” është bërë për këto motivime:
- Si njëri nga shkrimtarët, specifikisht si dramaturgun, më të mirë të Kosovës
- Si njëri nga personat që ka kontribuar nё zhvillimin e gazetarisë shqiptare
- Si njëri ndër publicistët më të mirë tё letrave shqipe
- Si njëri ndër intelektualët më të njohur të Kosovës
- Si njëri ndër ish-të burgosurit politikë për shkak se promovonte vetëdijen dhe identitetin kombëtar.
Sh. B. Tenda për realizimin e këtij manifestimi kulturor vjetor mund ta bëjë edhe me partnerë të tjerë qё shprehin interes publik dhe investim nё promovimin e kulturёs sonё nacionale tё shkruar dhe asaj shpirtёrore. /Informim.net
Shtëpia Botuese TENDA vepron prej vitit 1997
