Me një aktivitet simbolik para zyrës së BE-së në Prishtinë, organizata “Lëvizja për Demokraci”, ka kritikuar Bashkimin Evropian se po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë.
Organizatorët mbanin sytë e mbyllur me maska të BE-së, si simbolikë që ky institucion i ka mbyllur sytë karshi shkeljeve nga Serbia, veçanërisht ndaj arrestimit të tre policëve kosovarë.
“Arsyeja pse e kemi mbajtur këtë aktivitet është sepse BE po i mbyll sytë karshi politikave fashiste të Serbisë. Ju e dini që Vuçiq është pasardhës i politikave të Millosheviqit dhe plani i tyre është i qartë, spastrimi etnik i shqiptarëve”, tha Mexhid Ramusa, nga kjo organizatë.
“Ne duam t’i tregojmë BE-së se Serbia është e njëjta, nuk ka ndryshuar aspak. Në një shtet të pavarur arreston policët dhe të gjithë heshtin. Po t’i kishim rrëmbyer ne të gjithë do të na vërsuleshin”, tha ai.
Driton Ismaili, anëtar i kësaj organizate, tha se veprimet e fundit të BE-së e cenojnë edhe vetë ekzistencën e saj. Ai ka bërë thirrje qe presioni i drejtuar kundrejt Kosovës, të drejtohet ndaj Serbisë.
“Ne mendojmë që BE është duke i dhënë një dozë të tepruar të mbështetjes Serbisë, prandaj edhe po e gjen formën edhe motivin me u sill në këtë mënyrë. Kohëve të fundit kemi deklarata nga BE-ja të cilat e cenojnë edhe ekzistencën e vetë BE-së, sepse BE do të duhej që të funksiononte mbi bazën e politikave neutrale. Nga veprimet e fundit, ne nuk kemi parë diçka të tillë, kemi parë vetëm politika të anshme. I bëjmë thirrje BE-së që presionin që e ka drejtuar kundrejt Kosovës ta drejtojë ndaj Serbisë”, tha ai.
Ndërkohë, të hënën gjatë ditës janë liruar policët e rrëmbyer nga autoritetet serbe.