Me 4 Korrik, Amerika festoi Ditën e saj të Pavarësisë. Festa e 249-të e lirisë dhe demokracisë u shënua me madhështi, siç ndodh çdo 4 korrik: parada, fishekzjarrë, flamuj që valëviten krenarë dhe fjalë që lartësojnë idealet për të cilat ajo komb u ngrit më 1776.
Por ndërsa SHBA gëzonte përvjetorin e saj të madh, në Kosovë kjo ditë nuk solli aq ndjesi festimi, por më shumë reflektim dhe, për disa, edhe dhembje. Qeveria Kurti nuk bëri asnjë organizim për të shprehur nderim dhe falenderim siq e meriton Amerika, e kaloi këtë ditë me heshtje!
Sepse Amerika nuk është vetëm një shtet për Kosovën – është aleat, mik, çlirimtar. Është emri që kemi përmendur në ditët më të errëta të luftës dhe në netët më të pasigurta të pasluftës. Është vendi që na dha krah kur askush tjetër nuk guxonte. Por sot, kjo miqësi duket më e ftohtë se kurrë më parë në dy dekada.
Ish-ambasadori Avni Arifi, një zë i vjetër i diplomacisë sonë, tha pa zbukurime atë që shumë qytetarë vetëm e ndjejnë në heshtje: “Raportet Kosovë-SHBA janë shumë larg nga raportet e dëshiruara.” Dhe kjo, sipas tij, është pasojë e veprimeve të pamenduara dhe deklarimeve të pakujdesshme nga vetë udhëheqësit tanë.
Fjalët e Arifit janë si kambanë alarmi:
“Kosova s’duhet të ketë një Kryeministër që shkatërron raporte me SHBA-të.”
Ky nuk është një shqetësim banal diplomatik, por një dramë që prek thelbin e qenies sonë si shtet. Kosova pa Amerikën është një shtëpi pa çati. Dhe kur një udhëheqës lejon që kjo çati të çahet për shkak të kokëfortësisë apo egoizmit politik, atëherë e gjithë ndërtesa fillon të rrëqethet.
Të gjithë e mbajmë mend ambasadorët amerikanë në Prishtinë që na flisnin me ton mikësor, por të prerë, si miq që na dojnë të mirën. Por sot, rrallë ndodh që fjala “partneritet strategjik” të përmendet me të njëjtën ngrohtësi nga zyrtarët amerikanë. Rrallë e shohim atë pasion të dikurshëm që e lidhte Uashingtonin me Prishtinën.
Kjo nuk është vetëm çështje politike – është plagë morale. Si mund të flasim për shtetndërtim ndërsa zbehim lidhjen me ata që na ndihmuan të ndërtojmë shtetin?
Nëse vazhdojmë të ecim në këtë rrugë të gabuar, festimet e 4 Korrikut do të bëhen gjithnjë e më të huaja për ne. Jo sepse nuk i duam amerikanët, por sepse nuk do të na duan më ata.
Dhe kjo, për një popull që i ka falur Amerikës dashuri të pakusht, do të ishte jo vetëm një dështim politik, por edhe një tragjedi kombëtare.