Një analizë e ekspertit të sigurisë dhe zhvillimeve gjeopolitike, Agim Musliu, hedh dritë mbi një çështje tejet shqetësuese për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë në rajon: vazhdimin e financimit nga ana e Serbisë për grupe të përfshira në veprime terroriste kundër Republikës së Kosovës.
Sipas Musliut, përmes të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Qeveria e Serbisë vazhdon të ndajë subvencione financiare për individë që janë identifikuar si pjesëmarrës në sulmin terrorist të Banjskës në shtator të vitit 2023. Në atë ngjarje të rëndë, një pjesëtar i Policisë së Kosovës humbi jetën dhe u rrezikua seriozisht siguria në veri të vendit.
Musliu thekson se fondet e ndara nga kjo zyrë, të cilat në letër paraqiten si ndihma për komunitetin serb në Kosovë, në realitet po përdoren për financimin e grupeve të armatosura dhe aktiviteteve ilegale që synojnë rrëzimin e rendit kushtetues në Kosovë.
Në listën e përfituesve të këtyre subvencioneve figurojnë emra si:
Stefan Jovanoviq
Veljko Gjorgjeviq
Krsto Damnjanoviq
Nemanja Stankoviq
Danilo Iliq
Stefan Radojkoviq
Momçilo Vuçkoviq
Të gjithë këta persona dyshohet se kanë marrë pjesë në aktet e dhunshme në Banjskë, nën udhëheqjen e Millan Radoiçiqit, një prej figurave kryesore të rrjeteve paramilitare serbe në Kosovë.
Analiza e Musliut shkon përtej kufijve të Kosovës, duke theksuar se i njëjti grup ekstremist tashmë është i instaluar në Serbi, ku shfrytëzohet nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit për të shtypur protestat studentore dhe kundërshtarët politikë. Kjo e shndërron këtë strukturë jo vetëm në një kërcënim për Kosovën, por edhe për vetë qytetarët e Serbisë, të cilët po përballen me dhunë të organizuar nën mbështetjen e aparatit shtetëror.
Musliu thekson gjithashtu se e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” është shndërruar në një mjet për pastrimin e parave dhe mbështetjen e partisë në pushtet në Serbi (SNS). Përmes fondeve të shpërndara në mënyrë të paqartë, po forcohen strukturat paralele dhe rrjetet militante që i shërbejnë interesave politike të Beogradit në rajon.
Analisti ngrit alarmin se këto veprime vënë në pikëpyetje serioze angazhimin e Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që shteti serb mban lidhje me grupe të armatosura dhe përkrah veprimtari të cilësuara si terroriste. “Serbia nuk mund të sillet si kandidate për BE, ndërkohë që vepron si sponsor i destabilizimit rajonal”, thuhet në analizë.
Në përfundim, Agim Musliu thekson se është momenti që Bashkimi Evropian dhe NATO të ndërmarrin veprime të qarta dhe të vendosura ndaj Serbisë, për të ndalur financimin e terrorizmit dhe për të ruajtur paqen në rajon.
“Çdo vonesë në reagim mund të interpretohet si tolerim i dhunës dhe i destabilizimit të Ballkanit Perëndimor,” – përfundon Musliu.