Matt Groening, krijuesi i serialit të famshëm vizatimor The Simpsons, ka lënë të nënkuptohet se shfaqja nuk do të përfundojë derisa të ndodhë një ngjarje specifike – vdekja e Donald Trump.
Duke folur gjatë San Diego Comic-Con, Groening tha se nuk ka një fund të afërt për serialin, i cili transmetohet që nga viti 1989 dhe është bërë seriali më jetëgjatë vizatimor dhe sitcom në historinë e televizionit.
“Sinqerisht, mendova se sezoni i 36-të do të ishte fundi,” u shpreh ai, sipas Variety. “Jo, nuk ka fund në horizont. Do të vazhdojmë. Do të shkojmë deri sa të vdesë dikush.”
Ai shtoi me ironi: “Kur të vdesë ai që e dini ju, The Simpsons parashikon se do të ketë valle në rrugë. Përveçse presidenti [J.D.] Vance do ta ndalojë vallen.”
Kjo deklaratë është një tjetër shenjë e stilit satirik të serialit, i cili ka bërë famë për parashikimet e tij të çuditshme – përfshirë parashikimin që Donald Trump do të bëhej President i SHBA në një episod të vitit 2000. Në një episod tjetër të vitit 2015, seriali parashikoi edhe rizgjedhjen e tij.
The Simpsons është komentuar shpesh për aftësinë e tij për të parashikuar ngjarje të mëdha politike dhe kulturore në SHBA dhe në botë – shpesh përmes humorit të mprehtë dhe satirës./NME Magazine