Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti bëri të ditur se me Mickoskin ka diskutuar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.
Kurti tha se gjatë takimit ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për realizimin e projektit të tunelit Prizren-Tetovë.
Sipas tij, në takim është diskutuar edhe zbatimi i marrëveshjes për thëngjillin.
“Vazhduam bisedën për bashkëpunimin në infrastrukturë e në energji, përkatësisht për avancimin e projekteve të përbashkëta. Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren-Tetovë, si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, sikurse edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve. Gjithashtu biseduam për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin. U pajtuam të vazhdojmë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike”, ka shkruar ai.
Kurti dhe Mickoski, siç bëri të ditur kryeministri i Kosovës, janë pajtuar që të vazhdojnë punën për realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat, sipas tij, kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike.
Në fund të postimit, Kurti theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë shtete fqinje, mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, shkroi ai.

