Kusari-Lila: Edhe BE-ja ka përgjegjësi për gabimet e vjetra e të reja në dialog

by informim

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë destinacion e parime të njëjta, por se Kosova me raste “po anashkalohet pothuajse nuk ekziston, në kuptimin e asaj që po thotë”.

“Sot e kemi pas një diskutim ku deklarova se po krijohet bindja se jemi në dy tunele, të ndara që s’kanë komunikim, në këtë rast ne me ndërkombëtarët, që kemi destinacion të njëjtë e parime të njëjta, por s’ka interaksion se a po përceptohemi saktë për arsye se po komunikojmë, por në njëfarë mënyre po anashkalohemi komplet pothuajse nuk ekzistojmë në kuptimin e asaj që po e themi. Po e argumentojmë deri në detaje që duhet të jemi të vetëdijshëm për gabimet që kanë ndodhur, për gabimet që na kanë kushtuar si vend, për gabimet një pjesë të të cilave i kemi trashëguar, por ndoshta edhe gabime të reja që kemi bërë. Por për të cilat edhe BE-ja ka përgjegjësi të madhe, në raport në veçanti me procesin e dialogut”, ka thënë ajo të enjten në “Konfront” të KTV-së duke ndërlidhur BE-në këtu si institucion që ka qenë lehtësuese e përgjegjëse në dialog, por edhe pengmbajtëse e Kosovës për vizat.

“Dhe në një moment të caktuar, pas gjitha koncesioneve në vazhdimësi, në kurriz të Kosovës dhe veprime destruktive në vazhdimësi nga Serbia prapë i bie më së lehti të sanksionohet Kosova. Krijohet një bindje se sa larg duhet të shkohet…” ka thënë ajo tutje.

Ajo ka thënë se në Kosovë ka pasur në të kaluarën veprime a reagime edhe më dramatike nga “pararendësit e Kurtit”. Këtu ka kujtuar qasjen e ish-presidentit Hashim Thaçi që e kishte konsideruar ndërmjetësin Miroslav Lajçak, si joneutral.

Sipas saj, masat e prezantuara nga ndërkombëtarët janë të menduara “për t’i shtyrë palët në dialog”. Ajo ka thënë se nuk dihet vlera e sanksioneve ende.

“E paimagjinueshme që Policia të largohet nga veriu”

Të paimagjinueshme e ka cilësuar mundësinë që Policia e Kosovës të largohet nga veriu i vendit, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka thënë se me këtë do të rrezikohej spiralja e krizës, “përfundimi i së cilës s’do të dihej”.

“KFOR-i, dhe besoj shtetet anëtare që kanë ushtarë në Kosovë, janë të vetëdijshëm mbi rolin dhe detyrat e Policisë së Kosovës. S’është kërkuar nga ta kurrë largimi i policisë nga veriu. Ka qenë kërkesë e Serbisë dhe Listës Serbe. E vetmja kërkesë e ndërkombëtarëve ka qenë largimi nga ndërtesat e komunave”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka përsëritur se njësitet policore në veri janë vetëm për qëllime sigurie.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy