Një udhëtim familjarizues (FAM Tour) u organizua gjatë datave 13, 14 dhe 15 gusht 2025 në Kosovë, duke prezantuar një produkt të ri të turizmit kulturor ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “The Cultural Renaissance from Skadar Lake to Kosovo (TIME TRAVEL)”, i implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF), Komuna e Klinës, Qendra për Iniciativa të Turizmit të Qëndrueshëm (CSTI) nga Podgorica dhe Organizata Kombëtare e Turizmit e Malit të Zi (NTO).
FAM Tour nisi nga shtegu tematik në Deçan – Belle, vijoi ditën e dytë në Klinë (në fshatrat Ujmirë, Mirusha dhe Drsnik) dhe përfundoi në Radac, Pejë. Ky aktivitet shënoi hapjen zyrtare të Shtigjeve Tematike “Udhëtim në Kohë”, një ofertë e re për turizmin kulturor rajonal.
Në këtë udhëtim morën pjesë gjithsej 10 operatorë turistikë – 5 nga Kosova dhe 5 nga Mali i Zi, nën koordinimin e CDF. Pjesëmarrësit përjetuan drejtpërdrejt produktin tematik të turizmit kulturor “Udhëtim në Kohë”, i cili synon interpretimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të rajonit ndërkufitar.
Gjatë tre ditëve të programit, pjesëmarrësit morën pjesë në:
ecje me guida nëpër shtigjet e reja kulturore dhe historike në Klinë, Deçan dhe Pejë;
demonstrime të teknikave interpretative të guidimit për të përmirësuar përvojën e vizitorëve;
takime dhe rrjetëzim me ofrues turistikë lokalë dhe partnerë të projektit;
eksplorim të bukurive natyrore, traditave dhe kuzhinës lokale.
Atraksionet kryesore të vizituara:
Ujmirë – vendbanim i vjetër me trashëgimi historike;
Mirusha – e njohur për pasurinë natyrore;
Dresnik – lokacion arkeologjik me rëndësi të veçantë;
Belle (Deçan) – fshat me rrëfime legjendare, kisha të lashta dhe shërbime të reja akomodimi e kulinarie;
Radac (Pejë) – destinacion turistik me ujëvarën spektakolare, shpella, shtegun Via Dinarica dhe restorante tradicionale peshku.
FAM Tour kishte për synim jo vetëm prezantimin e ofertës së re të turizmit kulturor, por edhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes operatorëve turistikë, agjencive të udhëtimit dhe komuniteteve lokale.
Ky produkt turistik do të lançohet zyrtarisht në treg deri në fund të gushtit 2025 dhe do të shoqërohet me materiale promovuese, përfshirë një platformë digjitale dhe një broshurë për shpërndarje rajonale dhe ndërkombëtare.
Ky udhëtim familjarizues është organizuar në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Kosovë–Mal i Zi, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes Instrumentit për Asistencë Para-Anëtarësimit (IPA). Projekti synon zhvillimin dhe marketingun e përbashkët të vendeve kulturore më pak të njohura, duke nxitur rritjen e qëndrueshme të turizmit në rajon.








