Nga e marta hyn në fuqi zbatimi i plotë i Rregullores për Rregullimin e Parkingjeve në Prishtinë, pas vendimit të Gjykatës Supreme që i hapi rrugë implementimit të saj.
Kryetari i Komunës së Prishtinës ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se të gjitha parkingjet publike të menaxhuara nga ndërmarrja “Prishtina Parking” do të jenë me pagesë, sipas tarifave të përcaktuara zyrtarisht.
Sipas njoftimit, çdo parkim pa pagesë do të konsiderohet shkelje dhe do të sanksionohet me gjobë dhe masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kreu i komunës theksoi se vendimi synon përdorimin e drejtë të hapësirës publike në kryeqytet dhe barazinë në shfrytëzimin e saj nga qytetarët.
Komuna ka paralajmëruar se do të ketë kontrolle të vazhdueshme për respektimin e rregullores, ndërsa qytetarët u bëjnë thirrje të informohen mbi tarifat dhe mënyrat e pagesës për të shmangur gjobitjet.

