Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Kolonel Lumni Graishta, ka zhvilluar sot takime të ndara me përfaqësues të KFOR-it dhe OSBE-së, ku u diskutua për situatën e sigurisë dhe përgatitjet për procesin zgjedhor.
Fillimisht, Kolonel Graishta priti Komandantin e Komandës Rajonale të Perëndimit, KFOR, Kolonel Lorenzo Mangia, së bashku me zëvendësin e tij, Nënkolonel Behar Mara.
Më pas, ai u takua me Shefin e Departamentit për Siguri Publike të OSBE-së, z. Bertram Wesling.
Në të dy takimet u vlerësua lart bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë, ndërsa u theksua rëndësia e ruajtjes së këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
Gjithashtu, u diskutua për gjendjen e qetë në rajonin e Gjakovës, si dhe për masat që Policia ka ndërmarrë për të siguruar mbarëvajtjen e fushatës dhe procesit zgjedhor. Palët u pajtuan që bashkëpunimi të vazhdojë me fokus në organizimin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e kapaciteteve operacionale.

