PDK dhe AAK kërkojnë rrëzimin e Kurtit, LDK-ja të hënën mori “masa” ndaj pushtetit

by informim

LDK-ja bojkotoi sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, si “masë” ndaj pushtetit, pas sanksioneve që BE-ja ia vendosi Kosovës. PDK-ja beson se duhet të rrëzohet Qeveria e Albin Kurtit, sepse “gjithçka ka stagnuar”. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj përmend rrëzimin e Kurtit menjëherë pasi ndërkombëtarët i reaguan Kurtit për Veriun,ndërsa pas masave të BE’së , kërkoi edhe ndihmën e Vetëvendosjes për këtë.

Masat e paralajmëruara të Bashkimit Evropian pas mosbindjes së Kryeministrit Kurti për ta shtensionuar veriun sipas propozimit të tyre, u konfirmuan gjatë fundjavës. Partitë opozitare, pas reagimeve në rrjete sociale, të hënën njoftuan për veprime të reja.

banner

Opinionisti Ehat Miftaraj thotë se vlerat liberale demokratike për të cilat është zotuar Kosova para shteteve aleate që e përkrahën, janë obligim edhe i opozitës. Reagimet e partive opozitare, nuk janë të mjaftueshme për rolin që ato duhet ta kenë në situatën e krijuar, pas këmbënguljes së Qeverisë që të mos i bindet kërkesave të BE-së dhe SHBA-së.

“Në anën tjetër partitë politike opozitare në çdo rast kur të cenohen vlerat kushtetuese dhe aleancat me shtetet mike do të duhej që të jenë shumë më aktive në komunikim me publikun qytetarët, të luajnë rolin opozitar në Kuvendin e Kosovës përmes interpelancave dhe metodave tjera demokratike, të cilat kanë qenë shumë të rralla dhe jo-përmbajtësore deri më tani”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Express.

BE-ja konfirmoi masat në fundjavë, ndërsa opozita njoftoi për masat e saj të hënën. PDK-ja, që është partia më e madhe opozitare, thirri mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit drejtues të saj. 

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partia e tij tani e sheh opsion mocionin e mosbesimit, pasi, sipas tij, rrëzimi i Qeverisë është zgjidhja në këtë situatë.

“Një Kuvend i dështuar që nuk e meriton me vazhdu asnjë ditë të vetme, sepse ka blloku agjendën e vendit, gjithçka ka stagnuar. Jemi në gjendje të mjerueshme si vend si rezultat i kësaj qeverisje. Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie. Ne e dimë aktualisht me numra sesi jemi në këtë Kuvend, e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe të mos vuajmë për protagonizëm. Dështimi i mocionit do të thotë që tre muaj të ardhshëm nuk mundemi të bëjmë një mocion të ri, dhe ne nuk duam që ta lëmë këtë qeveri të vazhdoj më tutje”, tha Tahiri.

Ndërkaq, sot, LDK-ja e bojkotoi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, pas sanksioneve të BE-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pjesë në mbledhjen e Kryesisë për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet e konfirmuara nga BE-ja. Ne si Grup Parlamentar vlerësojmë se është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ne jemi para një situate e cila është jashtëzakonisht ë rrezikshme për Kosovën”, tha Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se e ka një plan për kapërcimin e krizës, të cilin, planifikon ta shpalosë këtë javë në takime me përfaqësues mediash, shoqërinë civile, e të tjerë.

“Prandaj, gjatë ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë. Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot”, ka shkruar ditë më parë Abdixhiku.

Sot kryetari i LDK-së ka publikuar itinerarin për shpalosjen e planit të tij.

Kreu i AAK-së, që kërkonte edhe më herët rrëzimin e Kurtit, pas njoftimit për sanksione të BE-së, kërkoi nga opozita dhe deputetët e shumicës që ta nisin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie”, ka shkruar Haradinaj gjatë fundjavës.

Për ta rrëzuar një Qeveri, nevojitet vota e shumicës së deputetëve, pra 61 e më shumë.

Momentalisht, Lëvizja Vetëvendosje ka më së shumti deputetë, 56 sosh, por nuk e ka e vetme shumicën. 

PDK-ja ka 18 deputetë, LDK-ja 16, Lista Serbe 9 deputetë, AAK-ja 8 deputetë dhe Grupi Multietnik 8. Pa grup parlamentar, përvec deputetëve të Listës Serbe, sipas të dhënave të Kuvendit, janë edhe deputetët Adem Hoxha, Fadil Gashi, Fatmir Humolli dhe Haki Abazi.

Të dhënat nga faqja e Kuvendit të Kosovës
banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy