Prishtina po bëhet sërish qendër e ngjarjeve kulturore me ardhjen e festivalit UNUM, i cili ka nisur udhëtimin e tij nga Shëngjini dhe ka zbarkuar në kryeqytet, për të sjellë një atmosferë të re dhe të gjallë në qytet.
Organizatorët e përshkruajnë ngjarjen jo vetëm si festival, por si një lëvizje që përmbledh skenën, muzikën dhe energjinë e rinisë.
Ky festival synon të ofrojë një eksperiencë unike për të rinjtë, duke krijuar një platformë ku kultura, kreativiteti dhe argëtimi bashkohen në një hapësirë moderne.
Përmes koncerteve, performancave dhe aktiviteteve interaktive, UNUM shpreh një vizion të ri për artin dhe të jetuarit urban në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, komentoi këtë ngjarje duke e cilësuar si një mundësi për të nxjerrë në pah potencialin e qytetit dhe për të ofruar hapësira kulturore për të gjithë banorët.
Ai tha: “Prishtina nuk pret. Prishtina është ndjenjë. Ngjarje si UNUM nuk janë thjesht festivale, janë lëvizje, janë skenë dhe vibe. Ky është një hap i rëndësishëm për të promovuar kulturën, energjinë dhe talentin që kemi në qytetin tonë. Ne duam që Prishtina të jetë gjithmonë një qytet ku rinia, arti dhe inovacioni gjejnë hapësirën e tyre”.
Ky festival vjen në një periudhë kur qyteti po shikon zhvillime të shumta në infrastrukturë dhe promovim kulturor, duke ofruar për qytetarët dhe vizitorët një përvojë të paharrueshme dhe duke vendosur Prishtinën në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme artistike në rajon.