Besnik Bislimaj e padit Kuvendin: Ma mohuan të jem pjesë e KGjK-së

by informim

Vendimi i Kuvendit të Kosovës për përsëritjen e konkursit për anëtar të Këshillit Gjyqësor, e çoi në gjykatë institucionin më të lartë ligjvënës në vend.

Kjo pasi një gjyqtar po pretendon që hartuesi i ligjeve ka shkelur vetë Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, raporton KIKS KOSOVA.

banner

Historia nis më 28 mars të 2022-ës, kur Kuvendi i Kosovës shpalli konkurs për një anëtar të KGjK-së, pasi sipas Kushtetutës është përgjegjësi e legjislativit që dy nga nëntë anëtarët e këtij këshilli të zgjidhen nga ta.

Seanca për zgjedhjen e një anëtari të KGJK-së u mbajt dhjetë muaj pas shpalljes së konkursit dhe në garë qenë dy kandidatë: Besnik Bislimaj dhe Alban Ajvazi.

Në seancën e 18 janarit të 2023-ës, 46 deputetë votuan për Besnik Bislimajn, e 25 të tjerë për Alban Ajvazin, por Kuvendi konstatoi se asnjëri nga ta nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Votimi do të përsëritej në seancën e 2 shkurtit, ku Bislimaj do të merrte 26 vota pro, ndërsa kundërkandidati i tij 7 sosh.

Megjithatë, edhe në raundin e dytë, Kuvendi konstatoi se asnjëri nga kandidatët nuk mblodhi votat e nevojshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Gjyqësor. Prandaj, Kuvendi më 2 shkurt të 2023-ës, mori vendim që konkursi të përsëritet.

Mirëpo, me këtë konstatim nuk qe i kënaqur Bislimaj, i cili pesë ditë më vonë, më 7 shkurt, e paditi legjislativin në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me pretendimin se ky vendim është i kundërligjshëm.

Sipas tij, vendimi i Kuvendit është nxjerrë në kundërshtim të plotë me dispozitën e Nenit 10, paragrafi 9, të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili përkufizon se: “Nëse në rrethin e parë, kandidatët e propozuar nga Komisioni përkatës i Kuvendit nuk marrin shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, atëherë në raundin e dytë konsiderohet i zgjedhur kandidati me numrin më të madh të votave”.

Duke u mbështetur në këtë dispozitë, Bislimaj i cili kishte më shumë vota se kundërkandidati i tij, pohon se ai është zgjedhur anëtar i KGjK-së në seancën e 2 shkurtit dhe se Parlamenti gabimisht ka konstatuar se asnjëri kandidat nuk i ka votat e nevojshme për këtë pozitë dhe se konkursi duhet të përsëritet.

Në padinë e ushtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Bislimaj pretendon se përveç që është i kundërligjshëm, ky vendim është edhe kundërthënës.

Andaj, përmes kësaj padie, Bislimaj kërkonte që të anulohet vendimi i Kuvendit, i cili konstatoi përsëritjen e konkursit dhe të konstatohet se në seancën e 2 shkurtit, Bislimaj është zgjedhur anëtar i KGjK-së me mandate 5-vjeçar.

Por, vetëm dy ditë më vonë, më 9 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë e hodhi poshtë padinë e tij, si të palejuar.

E ky vendim i gjykatës së shkallës së parë u prish nga Gjykata e Apelit, e cila më 21 shkurt, e aprovoi ankesën e Bislimajt, duke e kthyer çështjen për rivendosje në Gjykatën Themelore.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy