Serbia edhe sot që po mbahen zgjedhjet komunale në tërë Kosovën, ka vazhduar presionin e saj ndaj qytetarëve të komunitetit serb për të dalë dhe për të votuar.
Lidhur me këtë, Gazeta Express, mëson nga burimet e saj se Serbia ka mobilizuar ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës, serbë, që kishin dhënë dorëheqje nga detyrat e tyre në nëntor të 2022.
Presioni ndaj serbëve, po bëhet në mënyrë që këta të fundit ta votojnë Listën Serbe.
Për këtë, eshte siguruar edhe një foto ku shihen ish-policët Darko Filipovic (vëllai i Aleksandar Filipovic) dhe Bojan Barac.
Në këtë foto, Darko Fillipoviq është personi të cilit i shihet edhe fytyra.
Për këto ndërhyrje ka pasur reagime të shumta si brenda institucioneve të Kosovës, po ashtu edhe nga të tjerët, si rasti i raportuesit të Kosovës në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Ndryshe, Aleksandar Filipovic ka qenë shef operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin verior. Të njëjtin, autoritetet e sigurisë së Kosovës e kanë lidhur me shërbimet serbe të sigurisë. Ai ishte integruar në Policinë e Kosovës nga Ministria e Brendshme e Serbisë bazuar në Marrëveshjen e Brukselit.
