Zgjedhjet e shpeshta, sfidë për stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës

by informim peje

Në Kosovë, organizimi i shpeshtë i zgjedhjeve është shndërruar në një fenomen që po e ndikon ndjeshëm funksionimin e shtetit dhe ekonominë e vendit.

Edhe pse zgjedhjet janë thelb i demokracisë dhe mjet për të reflektuar vullnetin e qytetarëve, përsëritja e tyre në periudha të shkurtra kohore po krijon pasiguri institucionale dhe financiare.

banner

Çdo proces zgjedhor kërkon shpenzime të mëdha nga buxheti i shtetit, para që dalin nga taksat e qytetarëve dhe që mund të përdoreshin për zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi apo investime kapitale.

Përveç kostos financiare, zgjedhjet e shpeshta ndikojnë në mungesën e stabilitetit politik, pasi qeveritë në detyrë kanë mandat të kufizuar dhe nuk mund të zbatojnë politika të qëndrueshme zhvillimore.

Profesori universitar dhe ish-anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Fadil Maloku, ka komentuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, duke theksuar ndikimin që ato kanë në aspektin shoqëror dhe politik.

Ai ka paralajmëruar se proceset e shpeshta zgjedhore janë pasojë e paaftësisë për kompromise dhe po e rëndojnë demokracinë ende të brishtë të vendit.

“Gjasat për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme i kam paraparë qysh në fillim të ‘odisejades’ së ngërçit apo si e kam identifikuar si ‘shizofreni politike’.”

Sipas tij, problemet politike në Kosovë nuk lidhen vetëm me pamundësinë për të ndërtuar institucione, por me përçarje të thella mes subjekteve.

“Shkuarja në zgjedhje të reja, me gjasë, përveç paaftësisë së politikanëve aktual për të bërë kompromise të nevojshme do mbahen në mend jo aq me stërzgjatjen në mos konstituim të organeve shtetërore, sa me smirën dhe inatet tribale që u përzien edhe me shumë interesa meskine të klaneve e grupeve në ‘oborret’ e subjekteve politike”, tha ai.

Maloku thekson se ky ngërç politik do të mbetet një rast studimi për ekspertët e shkencave politike.

“Pra, ato tani i takojnë së kaluarës, por, historia e ngërçit do evidentohet pa dyshim në katalogët e analizave dhe ekspertizave të studiuesve shkencor që merren me zgjedhjet si mekanizëm fondamental për matjen e gatishmërisë për të ndërtuar raporte demokratike ”,u shpreh ai.

Ai ka theksuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë ngjarje të rastësishme, por procese që kërkojnë përgatitje të gjerë dhe përgjegjësi të madhe.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme që po trokasin në demokracinë ende të brishtë kosovare, nuk ndodhin pa përgatitje dhe planifikim. Sepse, ato janë ngjarje të mëdha dhe të kushtueshme, të cilat rezultojnë me përfundimin e një sërë punësh të mëdha dhe të vogla, ku përfshihen një numër i madh i njerëzve, ku të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në procesin zgjedhor dhe të japin llogari për veprimet e veta në bazë të ligjit”, potencoi Maloku.

Ai paralajmëron se edhe mos mbajtja e zgjedhjeve mund të ketë pasoja të rënda ekonomike e institucionale.

“Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme jo vetëm që është e kushtueshme për t’u përgatitur dhe udhëhequr, por edhe mos mbajtja e zgjedhjeve mund të jetë e kushtueshme. Kjo ndodh për shkak se financimi nga organizatat ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore mund të varen nga ekzistimi i një shoqërie demokratike, ose për shkak se edhe polarizimi midis subjekteve politike mund ta çrregullojnë ekonominë e vendit”, u shpreh ai.

Profesori Maloku shton se mbajtja e zgjedhjeve nuk është gjithmonë tregues i shëndetit demokratik të një shteti.

“Zgjedhjet nuk janë testi i vetëm i një shoqërie demokratike. Sot gjithnjë e më shumë po pranohet dhe po dëshmohet se mbajtja e zgjedhjeve nuk është ndonjë garanci se një vend mund ta kalojë testin e ‘kontrollit mjekësor demokratik’. Nga përvoja e mbajtjes së zgjedhjeve, ka shumë raste kur ato formalisht deklarohen e madje edhe dëshmohen (edhe nga mekanizmat e OSBE-s) si të rregullta e demokratike, por që në përmbajtje kontestohen nga rivalët politikë (rasti i Serbisë)”, shtoi Maloku.

Në fund, ai ka theksuar se për të pasur zgjedhje të vërteta dhe të drejta, vendi duhet të plotësojë disa kushte bazë.

“Për të pasur zgjedhje të mira, funksionale e, mbi të gjitha, të lira, të drejta, të pranueshme për të gjithë aktorët politikë të një vendi, ato para së gjithash duhet të kenë:
· një ligj zgjedhor të përcaktuar dhe të sinkronizuar pa asnjë dyshim me nevojat, ambiciet, përvojën dhe kulturën e atyre që votojnë;
· një komision zgjedhjesh që vërtetë është autonom, profesional dhe pa frikë në vendimmarrjet pa marrë parasysh prej kujt kontestohen; dhe
· një elektorat që është plotësisht i vetëdijshëm për të drejtat dhe përgjegjësitë e veta në vendimmarrjet e tij në procesin zgjedhor”, përfundoi profesori Maloku./Front Online

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy