Bjondinat e politikës !

by Nexhat

Skruan : DIjana TOSKA

Po flasin dy politikanë se si të fitojnë zgjedhjet duke mashtruar një milion votues dhe një bjondinë!

banner

E pse një bjondinë?

A po e sheh, kujt i ha palla për popullin, po veç për bjondinën!

Kjo shaka groteske nuk është thjesht humor; është enciklopedia e politikës sonë moderne. Ku fjala “strategji” shpesh nënkupton bojë për lyerje të flokëve dhe një selfie i lumturisë.

Në një vend ku politika është telenovelë, bjondinat janë heroinat. Çdo “parti” ka versionin e vet: bjondina e qeverisë, bjondina e opozitës, bjondina e rekrutuar nga shoqëria civile që përfundon në kabinet sapo mbaron fushata. Dhe secila predikon se e do popullin ma shumë se një influencere që do pasqyrën, bashkë me “like” e blera.

Bjondinat janë bërë metafora e mendjelehtësisë politike: ato nuk janë gra të vërteta, por figura simbolike të asaj që politika jonë adhuron, sipërfaqen, pamjen, vëmendjen, ndriçimin e kamerës.

Nëse do të duash të kuptosh politikën tonë, nuk ke nevojë të lexosh platforma, të mjafton të shikosh thonjtë, flokët dhe filterët. Kjo është gjithë filozofia jonë shtetërore: të dukesh, jo të jesh. Një salon bukurie me dritë të keqe.

Në çdo parti ka më shumë se një “bjondinë”, qofshin burra apo gra, që ndryshojnë ngjyrën politike më shpesh se ate të flokëve, mirëpo flasin me siguri për gjithçka.

Në vend të ideve, kemi baluke të lyera me programe; në vend të parimeve, manikyr të freskët në gishtat që votojnë ligje për t’u pasuruar.

Ndërkohë, populli rri e pyet veten: kush është më e bukur, ajo e qeverisë apo ajo e opozitës?

Një bjondinë pyet tjetrën:

– Si thuhet drejt, Irak apo Iran?

Tingëllon si batutë, por në fakt, është e njëjta dilemë që kanë disa politikanë që nuk e dine as vetë nga cili salon politik janë dhe çfarë orientimi të drejt gjeografik duhet të marrin.

Dy bjondina po shtyhen në një krevat, dhe njëra bie poshtë.

Ajo nga lart i thotë me zë të ëmbël:

– Eja, tash ka vend të mjaftueshëm!

Kështu me humor funksionon edhe politika jonë: në një palë zgjedhje e rrëzojnë njëri-tjetrin, në raundin tjetër e ftojnë për koalicion , se “tash ka vend”.

Dje armiq, sot partnerë. Dje tradhtarë, sot “të respektuar kolegë” në shtratin e pushtetit me flokë xix të rregulluara.

S’ka rëndësi kush bie poshtë, veç të mos humbasin krevatin.

Një bjondinë pyetet:

– Ku i gjete paratë për ta blerë telefonin e ri?

– E shita shporetin e druve, përgjigjet ajo me krenari.

Shumë kush: shitën drutë, lanë arat, dhe erdhën në qytet me strajca.

Shporetin e druve e zëvendësuan me mikrofonin e fushatës, kazmën me fjalime, dhe plisin me kostum.

Tani flasin për “strategji zhvillimi”, “politikë të jashtme”, e “integrime evropiane”, ndërsa s’e dinë as të ndajnë veriun prej jugut në hartë ngase nuk i mësuan në shkollat e natës.

Ata që dikur nuk dinin ta ndezin zjarrin, sot ndezin fushata.

Dikur ruanin dhitë, sot ruajnë mandatet.

Dikur dinin të matnin vetëm dru, sot matin se sa vota u duhen për ta ndarë tortën e pushtetit.

Në thelb, ndryshoi vetëm vegla: nga sopata në mikrofon.

Por zhurma, era dhe tymi mbetën të njëjtë.

Tregojnë se bjondinat, para se të flenë, vendosin pak sheqer nën jastëk, me bindjen se kur të zgjohen, do të bëhen më të mençura.

Është ëmbëlsia e iluzionit që i mban gjallë.

Por politikanët tanë veq milionave, çka tjetër mund të vendosin ?

Sigurisht që xhelozinë. Sikur ajo bjondina që kishte refuzuar të prostituohej, sepse kishte dëgjuar që shoqet e saj ishin paguar më shumë.

Edhe politikanët tanë idhnohen jo pse ka korrupsion, por pse dikush tjetër ka marrë një tender më të madh nga qeveria.

Kjo është ekonomia e vetme që funksionon tek ne pazaret morale të bjondinave.

Në fund, ndryshimi i vetëm midis bjondinës dhe politikanit është se të parës i paguajnë për trupin, të dytit për fytyrën.

Dhe ne, populli që i ndjekim, kemi bërë të njëjtën gjë si bjondinat.Edhe ne kemi vendosur pak sheqer nën jastëk duke besuar se një ditë do të zgjohemi më të mençur, më të lirë, më të ndershëm.

Sepse sa herë që ata flenë mbi miliona, ne flemë mbi gënjeshtra.

Dhe sa herë që ata zgjohen më të pasur, ne zgjoheni më të mësuar për t’i falur.

Në fund, ndoshta e vetmja gjë që na dallon nga bjondinat është se ato besojnë se sheqeri i bën më të mençura, ndërsa ne se politikanët do të bëhen ndonjëherë njerëz më të mirë.

22.10. 2025







banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy