Rasti Brezovica/ Kushtetuesja gjen shkelje në vendimin e Apelit për vazhdimin e paraburgimit ndaj Sasha Spasiq

by informim

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën nga Sasha Spasiq për vlerësimin e kushtetutshmërisë, i cili kishte pretenduar se i janë shkelur të drejtat e garantuara me  Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese ka publikuar Aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Sasha Spasiqnë të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të 17 majit 2022, dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të 31 majit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Ndryshe, Spasiq është njëri ndër të akuzuarit në rastin e njohur si “Brezovica 1”, rast i cili ka të bëjë me ndërtimet e jashtëligjshme në Brezovicë, të cilat janë bërë ndër vite në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar Sharri.

Spasiq akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë” nga neni 428, par.2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, vepër për të cilën mund të dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Spasiq, akuzohet se në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin Bratislav Nikoliq në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me qëllim që të veproj Sasha Spasiq në kundërshtim me detyrat zyrtare.

Sipas këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, rrethanat e këtij rasti ndërlidhen me vazhdimin dhe kohëzgjatjen e paraburgimit ndaj Spasiq para ngritjes së aktakuzës në procedurë penale.

Në rrethanat e rastit konkret, masa fillestare e paraburgimit, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ishte caktuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj në dhjetor të vitit 2021 dhe se kjo masë ishte vendosur duke marrë parasysh që, si rezultat i zhvillimit të hetimeve që ndërlidheshin me kryerjen e veprave penale gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, ndaj Spasiq ekzistonte dyshimi i bazuar se kishte kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Tutje, me kërkesë të Prokurorisë, masa e paraburgimit në rastin e Spasiq ishte vazhduar disa herë nga Gjykata Themelore.

“Parashtruesi i kërkesës, në ankesën e dorëzuar në Gjykatën e Apelit, specifikisht kishte pretenduar që duke marrë parasysh se në rastin e tij ekzistonte dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, për të cilën parashihet dënimi me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet, bazuar në paragrafin 2 të nenit 190 paraburgimi i tij nuk mund të zgjasë më shumë se katër (4) muaj para ngritjes së aktakuzës dhe për pasojë, vazhdimi i paraburgimit ndaj tij ishte në kundërshtim me ligjin dhe me të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.

Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit të 31 majit 2022, kishte konfirmuar vazhdimin e paraburgimit.

Mirëpo, Sasha Spasiq këtë Aktvendim, e kontestoi para Gjykatës, duke pretenduar që vazhdimi i paraburgimit të tij pas kalimit të periudhës katër mujore, siç është përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, cenon të drejtat e tij të garantuara me nenet 29 (E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë) dhe 31 (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese në vlerësimin e pretendimeve të Spasiq fillimisht thuhet se ka shtjelluar parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me caktimin e paraburgimit në kuptim të nenit 29 (E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë)  të Kushtetutës dhe nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në aplikimin e këtyre parimeve në rrethanat e rastit, Kushtetuesja fillimisht ka theksuar që caktimi i paraburgimit ndaj Spasiq është i bazuar në nenin 29.1.2 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5.1 (c) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku përcaktohet se paraburgimi mund të caktohet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Megjithatë, Kushtetuesja pas vlerësimit dhe shqyrtimit të përmbajtjes së vendimit të kontestuar, ka vlerësuar se, në lidhje me vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar qëndrimin e Gjykatës Themelore, por nuk kishte adresuar pretendimin specifik dhe thelbësor të ngritur në ankesën e tij para saj, përkatësisht nuk kishte dhënë përgjigje nëse vazhdimi i paraburgimit të tij për më tepër se katër muaj para ngritjes së aktakuzës për një vepër penale të dënueshme deri në pesë vjet, ishte në kundërshtim me nenin 190 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata ka theksuar se mos adresimi i një pretendimi kaq thelbësor, që ndërlidhet me garancitë kushtetuese për liri dhe siguri të parashtruesit të kërkesës nga Gjykata e Apelit, nuk është në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe me parimet dhe standardet e vendosura përmes praktikës gjyqësore  të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Po ashtu, Kushtetuesja ka konstatuar se Aktvendimi i 31 majit 2022 i Gjykatës së Apelit nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 29  [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe ka refuzuar kërkesën e tij për masë të përkohshme.

Tutje, Gjykata Kushtetuese, duke marrë për bazë faktin se rasti i Spasiq është duke u zhvilluar në procedurë penale, ka theksuar se efekti i këtij Aktgjykimi shtrihet vetëm sa i përket kohëzgjatjes së vazhdimit të paraburgimit ndaj tij në procedurë para ngritjes së aktakuzës dhe se si i tillë, nuk prodhon efekte juridike ndaj vendimeve tjera që ndërlidhen me masën e paraburgimit të nxjerra pas ngritjes së aktakuzës.

Gjykata më tej ka sqaruar se nuk ka autorizime ligjore për përcaktimin e kompensimit për rastet kur konstaton shkelje të dispozitave respektive kushtetuese dhe se Spasiq gëzon të drejtën që për periudhën e vazhdimit të paraburgimit të tij pas nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Themelore të 17 majit 2022 e deri në ngritjen e aktakuzës, të kërkojë dëmshpërblim nga autoritetet publike bazuar në dispozitat ligjore në fuqi

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që te deklaroj kërkesën të pranueshme, të deklaroj që Aktvendimi i 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në ndërlidhje meparagrafin 4 te nenit 5 (E drejta per liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke refuzuar kërkesën për masë të përkohshme të Spasiq. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy