Vidhen statujat romake nga Muzeu Kombëtar i Damaskut

by Nexhat

Disa statuja të lashta që datojnë nga periudha romake janë vjedhur nga Muzeu Kombëtar i Sirisë në Damask, kanë konfirmuar zyrtarët të martën.

Muzeu u mbyll përkohësisht pasi grabitja u zbulua të hënën herët në mëngjes. Ai ishte rihapur në janar, ndërsa vendi po rimëkëmbej nga lufta civile 14-vjeçare dhe nga rënia e regjimit 54-vjeçar të familjes Assad vitin e kaluar.

banner

Muzeu më i madh i vendit strehon artefakte të paçmueshme. Pas fillimit të luftës civile në mars 2011, masat e sigurisë u përforcuan me porta metalike dhe kamera vëzhgimi, ndërsa autoritetet zhvendosën qindra artefakte në Damask nga pjesë të tjera të vendit.

Një zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Antikiteteve dhe Muzeve të Sirisë i tha Associated Press se gjashtë statuja mermeri janë vjedhur dhe se hetimet janë ende në vazhdim.

Një zyrtar tjetër i tha AP-së se vjedhja ka ndodhur të dielën në mbrëmje dhe u zbulua kur njëra prej dyerve në departamentin klasik u gjet e thyer.

Të dy zyrtarët folën në kushte anonimiteti, në përputhje me rregullat, pasi qeveria ende nuk kishte bërë një deklaratë.

Shefi i policisë në Damask, gjeneral brigade Osama Atkeh, më vonë i tha agjencisë shtetërore të lajmeve SANA se disa statuja dhe objekte të rralla janë vjedhur nga muzeu. Ai shtoi se rojat dhe persona të tjerë po merren në pyetje.

Një gazetar i AP-së që tentoi të hynte në muze të martën u njoftua nga rojat se fotografimi nuk lejohej.

Drejtoria e Përgjithshme e Antikiteteve dhe Muzeve tha në një deklaratë më vonë gjatë ditës se është nisur një hetim dhe se janë marrë masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e artefakteve brenda muzeut. Në deklaratë nuk u specifikua se çfarë është vjedhur, por vetëm se “disa objekte ekspozimi” mungonin.

Seksioni i muzeut ku raportohet se janë vjedhur statujat është “një departament i bukur dhe historikisht i pasur, me artefakte që datojnë nga periudha helenistike, romake dhe bizantine”, tha Maamoun Abdulkarim, ish-kreu i departamentit të antikiteteve dhe muzeve të qeverisë.

Muzeu u rihap më 8 janar, një muaj pas rrëzimit të presidentit Bashar Assad nga rebelët, duke shënuar një epokë të re për vendin. Nga frika e grabitjeve, muzeu ishte mbyllur përkohësisht pas ofensivës rebele që i dha fund pesë dekadave të sundimit të familjes Assad.

Vitet e konfliktit kishin ndikuar rëndë në zona të ndryshme, përfshirë qytetin historik qendror të Palmiras, dikur nën kontrollin e grupit Shteti Islamik. Në vitin 2015, anëtarë të IS shkatërruan mauzoleume në sitin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Palmirë, i njohur për kolonadat romake 2.000-vjeçare, rrënojat e tjera dhe artefaktet e paçmueshme. (Burimi: AP)

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy