Një projekt kinematografik me përmasa ndërkombëtare pritet të sjellë në ekran historinë e masakrës së Reçakut dhe vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë luftës së viteve ’90.
Producenti nga Kosova, Fitim Krasniqi, ka bërë të ditur se në këtë film do të marrin pjesë aktorë të njohur botërorë, përfshirë Robert De Niron, një nga figurat më të njohura të kinemasë amerikane.
Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, Krasniqi ka treguar se ky projekt është personal për të, pasi përfshin edhe historinë e babait të tij, i cili ishte viktimë e luftës në Kosovë.
“Babanë e plagosën dhe e dogjën të gjallë. Filmi do të jetë edhe historia e tij. Shumë aktorë do të marrin pjesë, besoj edhe Robert De Niro. Të gjitha kontratat janë nënshkruar dhe ai e ka pranuar me shumë kënaqësi,” ka thënë Krasniqi.
Ai ka njoftuar se xhirimet do të fillojnë vitin e ardhshëm, pasi aktualisht po finalizohen detajet e fundit dhe oraret e aktorëve të përfshirë në projekt.
Ky film synon të rikujtojë masakrën e Reçakut, ngjarje që tronditi botën dhe ndikoi në ndërhyrjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

