Të huajt e pasur paguan shuma të mëdha parash për t’i qëlluar civilët e tmerruar gjatë rrethimit të Sarajevës, sipas akuzave të jashtëzakonshme që po hetohen nga prokurorët italianë.
Prokurorët po shqyrtojnë akuzat se gjatë viteve 1990, ekstremistë të djathtë dhe entuziastët e armëve nga Italia, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vende të tjera udhëtuan në Bosnje dhe i paguan forcat serbe që t’i lejonin të qëllonin banorët e qytetit si një formë “turizmi lufte”.
Sipas gazetës italiane La Repubblica, të huajt kanë paguar secili nga 80,000 deri në 100,000 euro (ekuivalenti në vlerën e sotme) për të marrë pjesë dhe ka pasur madje një “listë çmimesh” që thuhej se përfshinte tarifa të ndryshme në varësi të objektivit, shkruan The Independent,
“[Kishte] një çmim për këto vrasje: fëmijët kushtonin më shumë, pastaj burrat, mundësisht me uniformë dhe të armatosur, [pastaj] gratë dhe së fundmi të moshuarit, të cilët mund të vriteshin falas”, tha Ezio Gavazzeni, një gazetar, për gazetën italiane.
“Ata u nisën nga Trieste për një gjueti njerëzish. Dhe pastaj u kthyen në shtëpi dhe vazhduan jetën e tyre normale. Ata konsideroheshin njerëz të respektuar në sytë e atyre që i njihnin”.
Çështja u ngrit nga Benjamina Kariq, ish-kryetarja e komunës së Sarajevës, “kundër personave të panjohur”.
“Një ekip i tërë njerëzish të palodhur po luftojnë që kjo ankesë të dëgjohet”, i tha ajo agjencisë italiane të lajmeve ANSA.
Hetuesit po bashkëpunojnë me Raggruppamento Operativo Speciale, një njësi e Karabinierisë që merret me terrorizmin dhe krimin e organizuar, dhe prokurorët duan të identifikojnë çdo italian që ka marrë pjesë, në mënyrë që të përballet me akuza për “vrasje të qëllimshme, e rënduar nga mizoria dhe motivet e ulëta”.
Dëshmitarët thonë se udhëtimet u organizuan nga qyteti verilindor i Triestes. Pjesëmarrësit dyshohet se u çuan në pozicione snajperësh në kodrat mbi Sarajevë nga milicitë serbe besnike ndaj Radovan Karaxhiqit, i cili më vonë u dënua për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Serbia ka mohuar çdo rol në vrasjet e dyshuara, por hetuesit besojnë se shërbimet serbe të inteligjencës ishin në dijeni të operacionit ose të përfshira në të.
Edin Subasiq, një ish-oficer i inteligjencës boshnjake, tha se një ushtar serb i kapur i tha se italianët kishin paguar për të qëlluar me pushkë snajperi ndaj civilëve.
Një ish-marins amerikan, John Jordan, dëshmoi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në vitin 2007 se “qitës turistë” erdhën në Sarajevë “për të qëlluar civilët për kënaqësinë e tyre”. Ai tha se një burrë kishte mbërritur me një pushkë gjuetie “më të përshtatshme për derra të egër sesa për luftime urbane” dhe e trajtoi atë “si një fillestar”.
Rrethimi i Sarajevës u zhvillua midis viteve 1992 dhe 1996 dhe ishte më i gjati në historinë moderne europiane, me më shumë se 11,500 njerëz të vrarë.
Agjencia italiane e inteligjencës SISMI thuhet se konfirmoi në atë kohë se “snajperistë të huaj të fundjavës” kishin vizituar Sarajevën.
Tim Judah, një gazetar britanik dhe specialist i Ballkanit, tha se është e mundur që aktivitetet e supozuara të kenë ndodhur, por beson se ato do të kenë qenë të kufizuara për sa i përket numrit të njerëzve që morën pjesë.
“Nga viti 1992 deri në vitin 1995, kalova shumë kohë në Pale, që ishte selia qendrore e forcave serbe të Bosnjës, dhe nuk dëgjova për këtë”, tha ai për The Telegraph. “Nuk po them se nuk ndodhi. Është e mundur që të ketë pasur njerëz të gatshëm të paguajnë për ta bërë këtë. Por nuk mendoj se numri do të kishte qenë shumë i madh”.
Një rast i njohur përfshinte nacionalistin rus Eduard Limonov, i cili u filmua në vitin 1992 duke qëlluar mbi Sarajevën së bashku me Karaxhiqin.
Limonov vdiq në Moskë në vitin 2020.

