Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar menjëherë pas shortit të hedhur në Cyrih, ku Kombëtarja e Kosovës mësoi kundërshtarin e saj në gjysmëfinalen e “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Dardanët do të përballen me Sllovakinë, në ndeshjen që luhet më 26 mars në Bratislavë.
Ademi e cilësoi këtë fazë si një etapë ku çdo ndeshje ka peshën e një finaleje, duke pasur parasysh nivelin e ekipeve që garojnë për një vend në Botëror.
“Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shoh si favorit, por e shoh në faktin se nëse japim 100 përqindshin ne e kalojmë këtë hap për të shkuar deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë,” deklaroi ai.
Presidenti i FFK-së nënvizoi se suksesi i Kosovës varet nga përgatitja dhe forma e futbollistëve.
“E përsëris, po të japim 100 përqindshin me këta futbollistë që i kemi dhe nëse ata janë mirë e pa ndonjë lëndim, sigurisht se do ta arrijmë më të mirën,” shtoi Ademi.
Duke folur për finalen e mundshme të play-offit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi – Rumani, Ademi shfaqi bindje të plotë se Kosova do ta kalojë pengesën e parë.
“Besoj se hapin e parë do ta kalojmë,” përfundoi ai

