Situata e mesfushorit të Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani, tek Torino nuk është plotësisht e sigurt.
Pjesa e mbetur e sezonit 2025–2026 do të jetë vendimtare për të ardhmen e tij, pasi klubi piemontez do të vlerësojë nëse do të investojë për blerjen e kartonit apo do ta kthejë lojtarin në Inter pas përfundimit të huazimit.
Me trajnerin Marco Baroni, Asllani nisi sezonin si titullar i padiskutueshëm, por situata ka ndryshuar në javët e fundit. Gabimi në mbulimin e Thorsby-t gjatë ndeshjes kundër Genoa-s ka ndikuar dukshëm në minutat e tij. Pas atij episodi, në tre ndeshjet e radhës, shqiptari nisi dy herë nga stoli – ndaj Bologna-s dhe Juventus-it – ndërsa në sfidën e fundit kundër Pisa-s, trajneri preferoi të aktivizonte Iliç-in.
Pavarësisht minutave të reduktuara, statistikat e tij nuk janë negative. Në 11 javët e para të kampionatit, Asllani ka luajtur në 9 ndeshje, prej të cilave 7 i ka nisur titullar. Ai regjistron mesatarisht 68 minuta për ndeshje, duke grumbulluar gjithsej 612 minuta. Në lojë me topin, ai prek mesatarisht 45.8 herë topin për ndeshje, ndërsa saktësia e pasimeve në gjysmën e tij të fushës arrin në 92%.
Megjithatë, këto të dhëna nuk duken të mjaftueshme për të bindur presidentin Urbano Cairo që të marrë që tani vendimin për blerjen përfundimtare të lojtarit.
“Asllani ka bërë shumë mirë me Kombëtaren e tij, sepse ka shkuar deri në play-off. Kundër Juves zhvilloi një pjesë të dytë shumë të mirë. Ka shënuar edhe gol dhe është një lojtar që na pëlqen. A do ta blejmë? Ende nuk është mbyllur 1/3 e kampionatit. Duhet ta shikojmë ende në aksion. Ai duhet të konfirmohet për të na shtyrë që ta blejmë”, tha Cairo.
Kështu, Asllani hyn në një fazë të rëndësishme të sezonit, ku çdo paraqitje do të jetë vendimtare për të ardhmen e tij në futbollin italian dhe në klubin që e ka vlerësuar, por ende nuk ka marrë vendimin final.

