Shqipëria sot shënon Ditën e Alfabetit Shqiptar, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Me këtë rast, kryeministri Edi Rama ka shprehur urimin e tij përmes një postimi në Facebook, duke vënë theksin te roli i gjuhës shqipe në ndërtimin e identitetit kombëtar.
Në mesazhin e tij, Rama ka kujtuar se vendimi i Kongresit të Manastirit i dha gjuhës shqipe një bazë të përbashkët, duke e shndërruar atë në një shtyllë të rëndësishme të bashkimit shpirtëror të shqiptarëve. “Mirëmëngjes dhe gëzuar Ditën e Alfabetit, ditën që vulosi shqipen jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti, mendimi e kulturash, në rrugën drejt së ardhmes ku fjala shqipe vazhdon të ndërtojë historinë e një kombi që shpirtin e ka te gjuha”, shkroi kryeministri.
Dita e Alfabetit, e cila përkujton punën dhe kontributin e patriotëve të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, mbetet një simbol i përbashkimit dhe i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të shqiptarëve. Festimet e kësaj dite shoqërohen me aktivitete kulturore e edukative në të gjitha trevat shqipfolëse.

