Pas protestës dyorëshe të punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur keqardhje për situatën, duke thënë se bllokada vjen vetëm nga Qeveria, konkretisht nga Ministria e Financave. Ai theksoi se është i gatshëm të takohet me ta kudo dhe kurdo që ata dëshirojnë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, raporton Ekonomia Online.
Rama, në konferencën për media, tha se zgjedhjet lokale kanë përfunduar dhe fondet për kryeqytetin duhet të transferohen në llogaritë e Komunës, gjë që do ta mundësonte edhe zgjidhjen e problemit, duke i kthyer punëtorët në vendet e tyre të punës.
“Për fat të keq, jemi ende në të njëjtën gjendje si dje, me protesta që i kuptoj plotësisht. U kërkoj falje qytetarëve për këtë situatë. Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokada, ndërsa ministria vazhdon t’i mbajë të bllokuara në mënyrë të jashtëligjshme rreth 35 milionë euro të mjeteve vetanake. Ky problem do të zgjidhej menjëherë. Dje ishim me protestuesit para ministrisë, ku kërkova takim me kryeministrin dhe ministrin, por ata refuzuan. Edhe sot jam i gatshëm të takohem menjëherë, kudo që ata dëshirojnë. Kjo është një çështje që s’duhej të ishte problem, por po bëhet problem. Zgjedhjet lokale kanë përfunduar, fondet që na takojnë me ligj duhet të transferohen menjëherë që familjet e këtyre punëtorëve t’i marrin pagat. Ata kanë pritur me muaj, dhe edhe sot, për çfarëdo inati, kjo vazhdon,” tha Rama.
Ai njoftoi se të enjten do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme, ku përveç 35 milionë eurove të bllokuara, do të shtohen edhe 28 milionë të tjera për votim. Rama u bëri thirrje asamblistëve që t’i votojnë këto mjete, në mënyrë që kryeqyteti të ketë opsionet e nevojshme financiare.
“Kryeqyteti ka fonde të mjaftueshme për të paguar të gjithë operatorët. Pra, problemi nuk qëndron te operatorët, por te ministria, e cila po i mban të bllokuara në mënyrë të jashtëligjshme të hyrat tona vetanake. Për këtë kemi bërë kallëzim penal ndaj Hekuran Muratit dhe tre zyrtarëve të ministrisë. Jam i gatshëm sot të takohem dhe të gjejmë zgjidhje,” theksoi Rama.
Ai i bëri thirrje ministrit në detyrë, Hekuran Muratit, që të mos mashtrojë qytetarët dhe të përballet me problemin real.
“Jam këtu për çfarëdo ftese, jam i gatshëm të takohem tani dhe kurdo derisa të zhbllokohet situata. Ata i kanë thirrur, por kanë thënë që komuna të mos vijë. Vazhdon një fushatë me gënjeshtra dhe të pavërteta, që veç tensionon situatën. Janë 35 milionë euro të bllokuara, ndërkohë që ligji e mundëson transferimin e tyre. Janë paratë e kryeqytetit. I vetmi problem është politik. Nuk e di çfarë kalkulimesh kanë bërë, por jam i sigurt që nuk do t’u del mirë. Lutja ime për Hekuran Muratin është e thjeshtë: sa përpiqesh t’u hedhësh hi syve qytetarëve me tema të tjera, fokusoju temës relevante. Po luajnë me ne, me familjet tona, me fëmijët tanë,” deklaroi Rama.

