Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur zhgënjim lidhur me mosndarjen e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) nga pakoja e kursimeve, ndërsa rreth 700 punonjës të transmetuesit publik vazhdojnë të presin pagën e tetorit.
Sipas AGK-së, Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe rialokime buxhetore. Megjithatë, vendimi në vlerë mbi 8 milionë euro përfshin vetëm Shërbimin Klinik Spitalor Universitar të Kosovës (ShSKUK), duke lënë jashtë RTK-në.
“AGK-ja shpreh zhgënjim të thellë që ky vendim nuk përfshin edhe Radio Televizionin e Kosovës, ashtu siç kishte premtuar një ditë më parë Ministri në Detyrë i Financave, Hekuran Murati. Teksa jemi në fund të nëntorit dhe 700 punonjësit e RTK-së ende presin pagën e tetorit, AGK-ja i bën thirrje urgjente Qeverisë së Kosovës që të gjejë formën ligjore për të ndarë buxhetin për RTK-në për tre mujorin e fundit të vitit 2025”, thuhet në reagim.
AGK thekson se Qeveria duhet të marrë parasysh urgjencën e zgjidhjes së problemit financiar të transmetuesit publik dhe rëndësinë që RTK të funksionojë pa ndërprerje e pa pengesa.
“Ndërkohë, AGK-ja qëndron në solidaritet dhe përkrahje të plotë me kolegët e RTK-së që kanë hyrë në grevë të përditshme deri në realizimin e kërkesës për bartjen e buxhetit”, përfundon reagimi..

