Në mbledhjen e 279-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të hënën, ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, tha se në këtë mbledhje po merr pjesë vetëm si anëtar ex-officio.
“I nderuar kryesues i Këshilit, kryeprokurorë dhe prokurorë, staf mbështetës, përfaqësues të mediave, qytetarë dhe përfaqësues ndërkombëtar, dua t’ju informoj që në fillim se sipas rrethanave të njohura dhe bazuar në vendimin e Këshillit Prokurorial të datës 20 nëntor, kam pranuar pozitën e ushtruesit të detyrës…Jam i njoftuar se procesi gjyqësor i zhvilluar nga Besim Kelmendi është në zhvillim. Në këto rrethana do marr pjesë vetëm në cilësinë e anëtarit ex-officio, nuk do të përfshihem në diskutime dhe as në procesin e vendimmarrjes, duke mbajtur qëndrim neutral, deri në një vendim të Gjykatës. Deri atëherë, detyrimi im ligjor është të siguroj procesin. Dua të jem i qartë se pjesëmarrja ime lidhet vetëm si anëtar ex-officio”, tha Qalaj.
Qalaj në mbledhjen e 20 nëntorit u caktua ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

