Lazio ka arritur një fitore të rëndësishme në “Stadio Olimpico”, duke mposhtur Milanin me rezultat 1-0 dhe duke siguruar kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Ndeshja u vendos nga një episod i vetëm, por tejet i vlefshëm për kryeqytetasit.
Pjesa e parë kaloi me ritëm mesatar dhe shumë pak raste konkrete, me lojën që u zhvillua kryesisht në mesfushë. Të dy skuadrat u treguan të kujdesshme, duke mos lënë hapësira për gabime.
Goli i vetëm erdhi në minutën e 80-të. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar saktë nga Nuno Tavares, kapiteni Mattia Zaccagni u shkëput mbi mbrojtjen kuqezi dhe me një goditje të fuqishme me kokë e çoi topin në cepin e djathtë të portës, duke ndezur atmosferën në tribunat e “Olimpicos”.
Pas golit, të dy trajnerët reaguan me zëvendësime të shumta. Milani futi në fushë emra si Christopher Nkunku, Luka Modrić dhe Christian Pulisic, në përpjekje për të rikthyer rezultatin.
Ndërkohë Lazio i besoi freskisë së Tavares, Noslin dhe Dele-Bashiru, të cilët e forcuan edhe më shumë strukturën e skuadrës.
Megjithatë, kuqezinjtë nuk arritën të krijonin raste të rrezikshme në portën laziale. Skuadra e Igli Tares menaxhoi qetë minutat e fundit, duke kontrolluar ritmin dhe duke mos lejuar Milanin të afroheshte te barazimi.
Me këtë fitore, Lazio vazhdon rrugën në Kupën e Italisë, ndërsa Milani mbyll aventurën e këtij edicioni pa arritur objektivin për të shkuar më larg në kompeticion.

