Pau Cubarsi është shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm të Barcelonës dhe një pjesë të rregullt të kombëtares së Spanjës, ndonëse është vetëm 19-vjeçar.
Produkti i akademisë “La Masia” tashmë ka fituar dy tituj të La Ligës me katalunasit, ndërsa gjatë verës ishte një nga yjet e Spanjës në triumfin në Kupën e Botës 2026.
Falë arritjeve të jashtëzakonshme, talenti i Barcelonës fitoi çmimin “Golden Boy 2026”, duke ndjekur kështu gjurmët e bashkëlojtarit të tij, Lamine Yamal.
Në një intervistë për “The Athletic”, Cubarsi ka zbuluar se cilët ish-futbollistë të Barcelonës kanë ndikuar më së shumti në mënyrën e tij të lojës.
19-vjeçari përmendi dy ish-kapitenët e klubit katalunas, Carles Puyol dhe Gerard Pique, si modelet e tij kryesore në repartin defensiv.

“Idhujt e mi janë Puyol dhe Gerard Pique. Më pëlqejnë të dyja llojet e mbrojtësve: ai luftarak dhe i vendosur, si dhe ai me aftësi të jashtëzakonshme teknike”, deklaroi Cubarsi.
Ai gjithashtu shpjegoi se çfarë e veçonte secilin prej tyre në sytë e tij.
“Pique kishte një rol më të rëndësishëm në ndërtimin e aksioneve, ndërsa Puyol ishte vendimtar sa i përket mentalitetit dhe karakterit”, u shpreh ai.
Nuk do të ishte gabim të thuhej se ky kombinim pasqyron edhe cilësitë që Cubarsi po zhvillon në lojën e tij.
Në fund të fundit, talenti spanjoll ndihet komod kur duhet të mbrojë në mënyrë agresive, por aftësia e tij për të nisur aksionet nga prapavija është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të lojës së tij.
Ndërkohë, Cubarsi veçoi edhe qendërmbrojtësin e Liverpoolit, Virgil van Dijk, si një prej futbollistëve nga të cilët frymëzohet në futbollin modern.
“Vitet e fundit e kam admiruar shumë Virgil van Dijkun. Por, gjithashtu, kam tendencë ta analizoj shumë veten dhe paraqitjet e mia”, pranoi ai.

Cubarsi pranoi se është veçanërisht kritik ndaj vetes kur bën ndonjë gabim, duke analizuar shpesh veprimet e tij individuale gjatë një ndeshjeje.
“Jam shumë kritik ndaj vetes kur bëj një gabim. Gjatë ndeshjes je i vetëdijshëm për çdo veprim që bën, pavarësisht nëse ke luajtur mirë apo jo”, shpjegoi ai.
Megjithatë, ai insistoi se gabimet nuk ia lëkundin vetëbesimin.
“Vazhdoj me të njëjtin mentalitet dhe mundohem t’i minimizoj gabimet e mia”, përfundoi mbrojtësi i Barcelonës.

