Ambasada amerikane ka mirëpritur ngjarjen e djeshme në katër komunat veriore të vendit ku kryetarët e Listës Srpska rimorën pushtetin. Në një përgjigje për Gazetën Express, ambasada thotë se pret vazhdim të bashkëpunimit paqësor. Ngjashëm janë deklaruar edhe misionet e tjera të huaja në vend.
Ambasada amerikane e ka mirëpritur dorëzimin e qetë të detyrës te kryetarët serbë në katër komunat veriore. Kryetarët serbë atje u betuan në një ceremoni në prezencë të simboleve shtetërore derisa morën detyrën nga kryetarët shqiptarë që u vendosen në këto komuna më 2023.
“Ambasada e SHBA-së mirëpret tranzicionin e qetë të pushtetit dhe shpresojmë të shohim vazhdimin e bashkëpunimit paqësor”, tha një zëdhënës i ambasadës amerikane për Gazetën Express.
Kalimi i qetë dhe pa probleme i pushtetit atje u mirëprit edhe nga Zyra e BE-së, ambasada gjermane dhe ajo britanike.
“BE-ja në Kosovë mirëpret dorëzimin pa probleme të qeverisjes komunale, duke përfshirë edhe 4 komunat veriore. Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, tha Zyra e BE-së në një postim në Facebook.
Ndërkaq, ambasada gjermane tha se kjo ngjarje i shërben shtensionimit të mëtejmë të situatës – një kërkesë kjo e vazhdueshme Bashkimit Europian ndaj Kosovës për deeskalim të plotë të situatës në veri.
“Na vjen mirë të shohim një tranzicion të qetë dhe të rregullt të qeverisjes komunale sot. Kjo përbën një sinjal të rëndësishëm të shtensionimit të mëtejshëm në veri”, tha ambasada gjermane në një përgjigje dje për Gazetën Express.
Së fundi pati raportime për diskutime të brendshme brenda Bashkimit Europian se heqja e plotë e masave ndëshkuese të bllokut ndaj Kosovës lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si bëhet transferi i pushtetit në komunat veriore.
Komunat veriore deri më tani u udhëhoqën me kryetarë shqiptarë që nga maji i 2023-ës pasi kryetarët e Listës Srpska kishin dhënë dorëheqjen e tyre në nëntor të 2022-ës në shenjë revolte për vendimet e atëhershme të Qeverisë së Kosovës.
Për shkak të tensioneve që u pasuan kur kryetarët shqiptarë u vendosën në krye të këtyre komunave, BE e ndëshkoi Kosovën me masa.
Por, pas qetësimit të situatës atje, Unioni filloi t’i heqë masat gradualisht në maj të këtij viti, duke insistuar për shtensionim të plotë.
Gjithashtu, edhe ambasada britanike e përshëndeti dorëzimin e rregullt të detyrës tek kryetarët e sapozgjedhur dje, duke përcjellë edhe një porosi.
“Ne inkurajojmë vazhdimin e komunikimit dhe bashkëpunimit të mirë ndërmjet autoriteteve komunale dhe qendrore dhe komuniteteve që ata i shërbejnë javëve në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Gazetën Express.
Dje Milan Radojeviq mori postin në krye në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në atë të Leposaviqit, Dragisha Milloviq në atë Zveçanit dhe Millosh Peroviq në atë Zubin Potokit./Express

