Paralajmëron pulmologu: Mjegulla dhe ndotja e ajrit po përkeqësojnë sëmundjet respiratore

by informim peje

Mjegulla dhe ndotja e ajrit po ndikojnë në shëndetin respirator, veçanërisht te personat me astmë dhe sëmundje të tjera kronike. Kështu ka vlerësuar pulmologu Besim Morina në një intervistë për Ekonomia Online, duke theksuar se kjo ndotje po rrezikon personat që kanë probleme me frymëmarrje.

“Kushtet atmosferike kanë ndikim në shëndetin e mushkërive, sidomos te njerëzit që kanë probleme respiratore. Këtu flasim për njerëzit që kanë astmë bronkiale, bronkit apo sëmundje të tjera kronike të mushkërive. Këta janë gjithmonë shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike, ndryshimit të presionit të ajrit, lagështisë, sidomos në kushte të veçanta atmosferike si mjegulla apo i ftohti i madh. Mjegulla është vërejtur se ka ndikim direkt në përkeqësimin e sëmundjeve kronike dhe të astmës bronkiale”, ka deklaruar Morina.

banner

Muajt e ftohtë, sipas tij, mbeten periudha më e rrezikshme për pacientët respiratorë për shkak të infeksioneve sezonale dhe rritjes së ndotjes, të cilat shpesh çojnë në përkeqësim të astmës e bronkitit, duke kërkuar trajtim shtesë mjekësor.

“Përveç kësaj, mjegulla e favorizon ose e përkeqëson ndikimin e ndotjes. Në kushte mjegulle, grimcat ndotëse – si dioksidi i karbonit, oksidet e sulfurit dhe grimcat e imëta – mbesin në nivel të ulët të ajrit. Ne kemi më shumë mundësi të thithim sasi më të mëdha të ndotjes kur ka mjegull. Mjegulla, pra, përkeqëson gjendjen respiratore si në mënyrë direkte ashtu edhe indirekte, duke rritur efektin e dëmshëm të ndotjes”, ka shtuar ai.

Morina theksoi se shumë pacientë me astmë ende nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin e kushteve atmosferike në gjendjen e tyre, ndërsa edhe përdorimi i tepruar i kondicionerëve mund të përkeqësojë simptomat për shkak të tharjes së ajrit.

“Fatkeqësisht, sa i përket shëndetit respirator, vetëdija nuk është e mjaftueshme. Së fundi kanë filluar të lexojnë më shumë dhe të studiojnë gjendjen e tyre, por ende ka pacientë që nuk e dinë se cilat kushte ua përkeqësojnë simptomat. Pas intervistimit dhe marrjes së historisë mjekësore, ata shpesh e kuptojnë se përkeqësimi i gjendjes lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet atmosferike. Sidomos tani, kur shumica e shtëpive përdorin kondicionerë, shohim raste të përkeqësimit të astmës për shkak të tharjes së ajrit që shkaktojnë ato”, tha doktori.

Ai shtoi se muajt e ftohtë të vitit janë më të rënduar për pacientët respiratorë për shkak të infeksioneve sezonale.

“Në fund të vjeshtës dhe gjatë dimrit kemi numër më të madh të infeksioneve respiratore sezonale. Kjo bën që pacientët me astmë dhe bronkit, kur infektohen me një grip të zakonshëm, të kenë përkeqësim të sëmundjes dhe të kërkojnë trajtim me antibiotikë ose barna të tjera për ta përballuar gjendjen”, përfundoi ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy