Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas konferencës për media që mbajtën bashkëpartiakët e tij, Hykmete Bajrami e Janina Ymeri, të cilat akuzuan Qeverinë Kurti për keqpërdorime milionëshe në sektorin e energjisë, tha se kjo çështje duhet të jetë shqetësimi i sotëm politik dhe jo fyerjet “që nuk sjellin asgjë”.
“Ndërkohë që të tjerët merren me tema krejtësisht të parëndësishme për vendin, dy gra të forta të LDK-së, Hykmete dhe Janina, po merren me atë që është vërtet e rëndësishme: me skandalin e madh të mafias energjetike, me zinxhirin e përfituesve të saj, me Vuk Hamovićin në krye”, tha Abdixhiku.
Për pesë vite të qeverisjes së Kurtit, që ai iu referua si e “popullistëve”, Abdixhiku tha se Kosova ka importuar plot 811 milionë euro energji elektrike.
“Vetëm gjatë këtij viti, janë djegur 247 milionë euro për blerje të rrymës. Po i afrohemi një miliard eurove import të rrymës; vendi më i varfër në Evropë. Një miliard euro që mund të ishin investuar në zhvillim, në prodhim, në shëndetësi, në bujqësi, në paga të mësimdhënësve dhe mjekëve. Një miliard euro që ka shkuar drejt një skeme të errët, të pafalshme, nga e cila fiton mafia energjetike e humb qytetari i Kosovës”.
Abdixhiku tha se LDK po e ngrit këtë çështje “me guxim” dhe po e mbron interesin publik.
“Sepse Kosova meriton dritë, jo errësirën e aferave të tyre”.

