Gjilani ka shënuar një fitore të rëndësishme dhe shumë bindëse ndaj Llapit, duke triumfuar 3-0 në një ndeshje ku ekipi i Debatik Currit tregoi forcë, ritëm dhe efikasitet.
Duelli mori kthesë që në minutat e para, pasi Llapi mbeti me një lojtar më pak në fushë. Kapiteni Axel Gnapi u përjashtua me të kuq në minutën e 3-të pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj portierit Laroshi.
Megjithatë, pjesa e parë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që krijuan momente të rrezikshme, por pa gjetur rrjetën.
Pjesa e dytë nisi në mënyrë perfekte për Gjilanin. Vetëm dy minuta pas rifillimit, Sabit Bilali realizoi nga afërsia për epërsinë 1-0. Presioni i vendasve vazhdoi dhe në minutën e 57-të, Mevlan Adili shënoi golin e dytë, pas një aksioni të mirë të skuadrës.
Rezultati u vulos në minutën e 87-të kur sulmuesi Senad Jarovic finalizoi për 3-0, duke i dhënë Gjilanit një fitore të merituar dhe të qartë.
Me këtë triumf, Gjilani ngjitet në vendin e gjashtë me 22 pikë, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e shtatë me 20 pikë, duke komplikuar situatën e saj në tabelë.
Në xhiron e ardhshme, Gjilani do të zhvillojë derbin e qytetit si mysafir i Dritës, ndërsa Llapi do të kërkojë rikthimin te fitorja në shtëpi ndaj Malishevës.

