Napoli mbërriti sonte në Riad për Superkupën e Italisë dhe, siç pritej, Romelu Lukaku ishte për herë të parë këtë sezon me skuadrën.
Sulmuesi belg pësoi një dëmtim serioz në kofshë gjatë një miqësore parasezonale kundër Olympiacos më 14 gusht.
Që nga ajo kohë ai ka qenë jashtë fushave dhe u rikthye në stërvitje vetëm të hënën në mëngjes.
Kishte pasur raportime se Lukaku do të ishte pjesë e skuadrës për Superkupën e Italisë dhe ai u pa vërtet duke zbritur nga avioni në Riad sonte, raporton “Football Italia”.
I pranishëm ishte edhe presidenti Aurelio De Laurentiis, ndërsa shumë prej lojtarëve u panë duke mbajtur në duar filxhanë me espresso të përgatitura rishtazi.
Napoli do të luajë gjysmëfinalen kundër Milanit të enjten, ndërsa Bologna do të përballet me Interin në ndeshjen e së premtes në mbrëmje.
Fituesit e këtyre dy takimeve do të përballen më pas në finalen e Superkupës EA Sports FC, e cila do të luhet të hënën, më 22 dhjetor.

