Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë adresuar kritika të forta ndaj Serbisë, duke vlerësuar se gjendja e demokracisë në këtë vend është “shqetësuese”, ndërsa kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve janë cilësuar si “të padrejta”. Këto vlerësime përfshihen në Ligjin për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, i cili është miratuar javën e kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.
Ligji është pjesë e paketës më të gjerë të Ligjit për Autorizimin e Sigurisë Kombëtare (NDAA) për vitin 2026, i cili u miratua me 312 vota pro dhe 112 kundër. Pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve, ligji i është dërguar Senatit dhe më pas pritet të nënshkruhet nga presidenti amerikan, Donald Trump. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump do ta nënshkruajë ligjin.
Ndryshe nga rezolutat deklarative të mëparshme, ky ligj krijon obligime konkrete dhe detyruese për Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin, duke përcaktuar qartë qasjen e politikës amerikane ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Serbia, e vetmja e përmendur drejtpërdrejt
Nga të gjitha vendet e rajonit, Serbia është e vetmja që përmendet në mënyrë eksplicite në dokumentin e Kongresit. Në të thuhet se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor 2023, si dhe zhvillimet pas tyre, kanë ngritur “shqetësime të thella për gjendjen e demokracisë në Serbi”.
Këto vlerësime mbështeten në raportin përfundimtar të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), i cili ka konstatuar “kushte të padrejta zgjedhore” dhe “mangësi të shumta procedurale”. Raporti përmend zbatim të paqëndrueshëm të mekanizmave mbrojtës gjatë votimit dhe numërimit, mbingarkesë të qendrave të votimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup.
Akuza ndaj protestuesve dhe opozitës
Në dokument theksohet gjithashtu se zyrtarë serbë kanë akuzuar protestuesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqërinë civile se po “përpiqen të destabilizojnë qeverinë”. Kongresi amerikan e cilëson këtë si një pretendim shqetësues, që rrezikon sigurinë e segmenteve të rëndësishme të shoqërisë serbe.
Korrupsion dhe kontroll autokratik
Ligji vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor janë kyçe për paqen dhe stabilitetin e Evropës, por paralajmëron se korrupsioni, përfshirë atë mes liderëve kryesorë politikë, si dhe fushatat e dezinformimit, po minojnë institucionet demokratike dhe integritetin e zgjedhjeve.
Në këtë kontekst, Serbia shihet si pjesë e mjediseve politike të karakterizuara nga kontrolli autokratik dhe konfliktet partiake, ku korrupsioni dhe dezinformimi përhapen më lehtë. Korrupsioni përshkruhet si një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe politik të rajonit.
Sanksione brenda 90 ditësh
Një nga elementet më të rëndësishme të ligjit janë sanksionet. Presidenti i SHBA-së obligohet që, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit, të vendosë sanksione ndaj çdo personi të huaj të përfshirë në korrupsion të lidhur me Ballkanin Perëndimor. Kjo përfshin edhe korrupsionin nga, ose në emër të, qeverive të rajonit, si dhe nga zyrtarë aktualë apo ish-zyrtarë shtetërorë.
Sanksione parashihen edhe për individë apo politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin apo integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për ata që minojnë proceset demokratike ose kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Masat mund të përfshijnë bllokimin e pasurive dhe ndalimin e vizave.
Njëkohësisht, Sekretari amerikan i Shtetit obligohet të zhvillojë një iniciativë të posaçme kundër korrupsionit, e cila do të përfshijë ndihmë teknike, shkëmbim përvojash dhe trajnime për institucionet e drejtësisë, organet e zbatimit të ligjit dhe mekanizmat mbikëqyrës, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit politik, veçanërisht në gjyqësor dhe proceset zgjedhore. /Danas

