Unai Emery po vazhdon të bëjë mrekulli me Aston Villën. Që nga ardhja e tij në vitin 2022, trajneri spanjoll e ka udhëhequr klubin drejt një periudhe shumë të suksesshme, duke e shndërruar Vekipin në një skuadër që sot lufton për kreun e Premier League.
Vetëm gjashtë vjet pasi luante në Championship, Aston Villa sot është në mesin e skuadrave më të forta të Anglisë dhe madje ka arritur deri në çerekfinale të Champions League, duke mposhtur edhe ekipe si Bayern Munich në skenën evropiane.
Edhe pse vera ka qenë zhgënjyese për tifozët, me investime minimale në afatin kalimtar dhe pa zëvendësime të denja për emra si Marcus Rashford dhe Marco Asensio, Emery ka arritur ta ringjallë skuadrën. Villa ka shpenzuar vetëm rreth tridhjetë milionë euro, më së paku nga të gjitha klubet e Premier League.
Fillimi i sezonit ka qenë i vështirë, pa fitore në pesë ndeshjet e para, por tash Aston Villa renditet në vendin e tretë, shtatë pikë para Liverpool. Të martën, Villa përballet me liderin Arsenal dhe me një fitore do të barazonte pikët me “Topçinjtë”, të cilët i ka mposhtur edhe më herët këtë muaj në “Villa Park”.
Nën drejtimin e Emery, Aston Villa ka marrë dymbëdhjetë fitore në tetëmbëdhjetë ndeshje këtë sezon. Trajneri spanjoll ka ringjallur lojtarë që kanë qenë jashtë planeve ose të lëduar, si Emiliano Buendia, ndërsa yje si Morgan Rogers kanë rikthyer formën e lartë. Po ashtu, përvoja e lojtarëve si Youri Tielemans, Emiliano Martinez dhe Lucas Digne ka qenë vendimtare.
Pavarësisht largimit të disa lojtarëve kyç nga sezoni i kaluar, Emery po vazhdon ta mbajë Aston Villa në garë për majat e futbollit anglez, duke dëshmuar edhe një herë se puna dhe organizimi mund të kompensojnë mungesën e investimeve të mëdha

