Verifikimi i disa vendvotimeve nxori devijime të mëdha që mund të ndikojnë në renditjen e kandidatëve dhe përbën argument për kalimin te numërimi digjital.
Vetëm nga verifikimi i 33 vendvotimeve, u identifikuan mospërputhje në numërimin e votave të kandidatëve, me një total prej mbi 2,200 votash dallim krahasuar me rezultatin e publikuar zyrtarisht, njofton Cakolli.
Sipas tij, në disa komuna, dallimi mes votave të kandidatëve të vetëm dy partive arrin në qindra vota, ndërsa Prizreni prin me mbi 700 vota dallim në vetëm dy vendvotime. Në raste të veçanta, për një kandidat, numri i votave në një vendvotim pas verifikimit ka rezultuar i shtuar mbi 100 vota.
“Ky nuk është një problem që mund të shpjegohet me gabime të vogla njerëzore. Kur devijimet janë kaq të shumta dhe të shpërndara gjeografikisht, tregon qartë se problemi është sistemik,” tha Cakolli.
Ai paralajmëron se në një sistem me lista të hapura të kandidatëve, këto dallime mund të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe, për pasojë, edhe emrat e deputetëve të ardhshëm të Kuvendit.
Cakolli e lidhi situatën me centralizimin e numërimit në Qendrat Komunale, larg vendvotimeve dhe me vëzhgim minimal, duke theksuar se kjo është një nga arsyet kryesore pse modeli aktual është i gabuar dhe pse numërimi digjital përbën alternativën e ardhshme.

