Prokurorët në Korenë e Jugut kanë kërkuar dënim me vdekje për ish-presidentin Yoon Suk Yeol, i cili ndodhet në gjyq nën akuzën e tentativës për të mbajtur pushtetin me forcë.
Sipas argumenteve të paraqitura të martën në Gjykatën e Qarkut Qendror të Seulit, akuza e përshkroi Yoon, 65 vjeç, si “udhëheqësin e një kryengritjeje”. Prokurorët pretendojnë se hetimet kanë zbuluar prova se ai kishte planifikuar që në vitin 2023 një skemë për të marrë kontrollin e funksioneve shtetërore.
Yoon ka mohuar akuzat, duke këmbëngulur se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në dhjetor 2024 ishte brenda kompetencave të tij presidenciale. Ish-kreu i shtetit argumenton se vendimi u mor për të shmangur një bllokim institucional dhe një komplot të supozuar të forcave politike pro-Koresë së Veriut.
Shpallja e ligjit të emergjencës ushtarake ishte ndërhyrja e parë e këtij lloji në Korenë e Jugut që prej vitit 1980 dhe shkaktoi protesta të menjëhershme. Qindra ushtarë të armatosur u vendosën përkohësisht pranë institucioneve kyçe të shtetit, përfshirë Asamblenë Kombëtare, duke ngritur shqetësime për një tentativë për të kufizuar autoritetin e parlamentit.
Në pak orë, Asambleja Kombëtare votoi unanimisht rrëzimin e urdhrit dhe presidenti u detyrua ta anulonte vendimin pas afro gjashtë orësh.

