Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë deklarata të forta lidhur me situatën në Iran, duke iu drejtuar drejtpërdrejt qytetarëve iranianë dhe duke i nxitur ata të vazhdojnë protestat kundër regjimit aktual.
Në një mesazh publik, 79-vjeçari u bëri thirrje “patriotëve iranianë” që të mos ndalen, të marrin kontrollin e institucioneve të tyre “nëse është e mundur” dhe të dokumentojnë emrat e atyre që, sipas tij, janë përgjegjës për dhunë dhe abuzime ndaj popullit.
“Ju po abuzoheni shumë rëndë”, u shpreh ai, duke shtuar se shifrat mbi viktimat janë të paqarta “dëgjoj pesë grupe të ndryshme shifrash. Edhe një vdekje e vetme është shumë”.
Lideri amerikan e përshkroi Iranin si një vend që dikur ka qenë i madh, por që, sipas tij, u shkatërrua pasi “këta përbindësha” morën pushtetin. Ai përdori gjithashtu sloganin e tij të njohur politik, duke deklaruar “Bëjeni Iranin sërish të madh.”
Në deklaratën e tij, ai e lidhi situatën në Iran edhe me politikën e brendshme amerikane, duke thënë se bota është në një gjendje të brishtë dhe se, sipas tij, nëse nuk do të kishte fituar zgjedhjet, një situatë e ngjashme mund t’i kishte ndodhur edhe Shteteve të Bashkuara.
Deklaratat e Trumpit pritet të shkaktojnë reagime të forta, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe në qarqet e brendshme, për shkak të ndjeshmërisë së lartë të situatës në Iran dhe ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në çështjet e brendshme të vendit.

