Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, ka shpërthyer në lot gjatë një interviste live televizive, duke folur hapur për presionin e madh politik me të cilin po përballet vendi i saj pas deklaratave kërcënuese të presidentit amerikan Donald Trump.
Gjatë një interviste për rrjetin kombëtar KNR, Motzfeldt u shpreh se qeveria e Groenlandës po përjeton ditë jashtëzakonisht të vështira, për shkak të tensioneve të shtuara dhe presionit në rritje ndërkombëtar.
“Po punojmë shumë, edhe pse nuk jemi shumë në numër. Normalisht nuk do doja t’i thosha këto gjëra, por jemi shumë të fortë dhe po bëjmë më të mirën tonë,” tha ajo, përpara se të ndalej, e prekur nga emocionet.
“Jam shumë e mbingarkuar. Ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira. Përgatitjet dhe presioni kanë qenë intensive,” shtoi ministrja, me zërin që i dridhej.
Deklaratat e saj vijnë në një moment kur Trump ka paralajmëruar se mund të vendosë tarifa ndaj vendeve që nuk mbështesin planin e tij për marrjen e kontrollit mbi Groenlandën, duke e konsideruar territorin strategjik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Pavarësisht situatës, Motzfeldt theksoi se qeveria e Groenlandës mbetet e vendosur për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve të saj. “Po përdorim gjithë forcën tonë që populli i Groenlandës të ndihet i sigurt dhe të jetojë i sigurt,” u shpreh ajo.
Ministrja bëri të ditur se ka zhvilluar takime të nivelit të lartë me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës Lars Løkke Rasmussen, zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance dhe Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, në bisedime që kanë nxjerrë në pah përplasjet e forta mbi të ardhmen e Groenlandës.

