Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar tronditje mes aleatëve të NATO-s pas një letre të pazakontë drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, ku deklaron se “nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen”, pasi nuk iu akordua Çmimi Nobel për Paqe.
Letra, e konfirmuar si autentike nga vetë kryeministri norvegjez, lidhet drejtpërdrejt me kërcënimet e Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën dhe për të vendosur tarifa të rënda tregtare ndaj vendeve evropiane.
“Kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj, dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara”, thuhet se ka deklaruar ai, duke shtuar: “Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi Kontroll të Plotë dhe Total mbi Groenlandën”.
Trump po i përgjigjej një letre nga zoti Støre, i cili kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për të vendosur tarifa eksporti ndaj atyre që janë të gatshëm të mbrojnë ishullin, përfshirë Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
“I dashur Jonas: Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos ma japë Çmimin Nobel për Paqe për faktin se kam ndalur më shumë se 8 luftëra, nuk ndiej më detyrimin të mendoj vetëm për Paqen, edhe pse ajo do të mbetet gjithmonë mbizotëruese, por tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet se ka shkruar zoti Trump.
“Danimarka nuk mund ta mbrojë atë tokë nga Rusia apo Kina. Dhe, pse vallë kanë ata ‘të drejtën e pronësisë’? Nuk ka dokumente të shkruara. Është vetëm fakti që një anije zbarkoi aty qindra vite më parë, por edhe ne kishim anije që zbarkonin aty”.
Tabloidi norvegjez VG pretendon se ka folur me Kryeministrin Støre, i cili ka konfirmuar se letra është autentike. Kryeministri ka thënë gjithashtu se i ka bërë të ditur zotit Trump vazhdimisht se dihet botërisht që qeveria norvegjeze nuk vendos se kush e fiton Çmimin Nobel për Paqe.
Sipas Trump, Danimarka nuk ka aftësi ta mbrojë Groenlandën nga Rusia apo Kina, ndërsa ai e konsideron kontrollin amerikan mbi ishullin si thelbësor për sigurinë globale, shkruan A2 CNN. Presidenti amerikan ka paralajmëruar vendosjen e tarifave fillimisht 10% e më pas 25% ndaj disa vendeve të NATO-s, derisa, sipas tij, të arrihet një “marrëveshje për blerjen e plotë të Groenlandës”.
Deklaratat kanë nxitur reagime të ashpra nga liderët europianë. Kryeministri britanik Keir Starmer i ka cilësuar këto kërcënime “krejtësisht të gabuara”, ndërsa Bashkimi Evropian po shqyrton përdorimin e instrumenteve të forta tregtare kundër SHBA-së. Protesta janë zhvilluar edhe në Groenlandë, ku qytetarët kanë deklaruar se ishulli “nuk është në shitje”. Kriza rrezikon seriozisht unitetin e NATO-s dhe marrëdhëniet transatlantike.

