Në seancën e sotme të rregullt plenare, veç fillimi ishte i tillë. Kjo pasi në një dhunë e paparë ndonjëherë në Kuvendin e Republikës së Kosovës shpërtheu mes dy kampeve – pushtetit e opozitës.
Gazetari Haris Ademi, i ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova, rrëfeu tërë ngjarjen e sotme.
Ai tha se gjithçka nisi kur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shqeu ilustrimin e kryeministrit Albin Kurti me hundë të gjatë, ilustrim ky i vendosur nga deputetja e PDK-së, Gabimete Musliu.
Këtu ngrihet në këmbë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe shkon për t’i lagur me ujë dy numrat e parë të qeverisë, Albin Kurtin dhe Besnik Bislimin.
Këtu edhe filloi dhuna.
“Seanca e rregullt e Kuvendit nisi me rregull, si zakonisht. Pastaj në deklarimet jashtë rendit të ditës ishin të fokusuar kryesisht në përgjimet mes shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, dhe ish-deputetit Slavko Simiq të Listës Serbe. Kur erdhi radha e Kryeministrit Kurti, i cili fjalimin e tij e fokusoi te plani i shtensionimit të veriut dhe gatishmëria e qeverisë për të zbatuar këtë plan, që përkthehet në tërheqjen e 25% të forcave policore në dhe rreth objekteve komunale në veri, atëherë ka pasur zëra prej opozitës duke e cilësuar me epitete të ndryshme, gënjeshtar, tradhtar për shkak të kundërshtive që i ka opozita me Kurtin për këtë situatë, dhe më pas, kur deputetja Ganimete Musliu ka shkuar ta vendosë te foltorja ilustrimin që i është bërë Kurtit me hundën e zgjatur të Pinokios që simbolizon gënjeshtrën, atëherë ky veprim duket se nuk i ka pëlqyer Besnik Bislimit dhe ai del te foltorja teksa Kurti ishte duke folur, e kap dhe e shqyen letrën dhe shkon te vendi. Kjo pason me veprimin e Lushtakut të PDK-së që u drejtohet dy numrave të parë të qeverisë… dhe në momentin që Bislimi kthehet, Mërgim Lushtaku shkon dhe hedh ujë te të dy, te Kurti dhe Bislimi. Shihet që Hekuran Murati tenton ta mbrojë Kurtin prej ujit, dhe më pas zëvendëskryeministri e gjuan me shishe, dhe këtu gjithçka eskalon, dhe shfaqet skenari i parë në historinë e parlamentarizmit (në Kosovë) të një rrahjeje masive në mes të deputetëve dhe kabinetit qeveritar në sallën plenare të Kuvendit”.
“Fillimisht Armend Muja dhe deputetë tjerë të LVV-së e mbrojnë me trup kryeministrin derisa i vjen mbrojtja e afërt, dhe më pas ata e mënjanojnë paksa, por i njëjti tenton që sërish të kthehet te foltorja”, tha Ademi.
Sipas tij, grushte më së shumti ka pësuar ministri i Financave, Hekuran Murati – herë nga Hajdar Beqa e herë nga Bekim Haxhiu, të dy këta deputetë të PDK-së.
“Kanë ndodhur disa shpërndarje të grushteve. Hekuran Murati mund të them që ka pësuar më së shumti, sepse është grushtuar disa herë prej Hajdar Beqës së PDK-së, pastaj e ka marr një goditje edhe prej Bekim Haxhiut. Hekuran Murati po tenton ta ndalojë lagien e Kurtit me ujë, por nuk ushtron dhunë, vetëm e shtyn me Albulena Haxhiun”, u shpreh gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi.
Sipas tij, “gjithçka nis kur zëvendëskryeministri Bislimi i hedh shishen që e pat para vetes deputetit Lushtaku që shkoi për të bërë një veprim opozitar”.
“Pastaj ky dëshiron t’i kundërvihet Bislimi, dhe më pas vjen intervenimi i të gjithë deputetëve, ku ndodh edhe dhuna masive”, theksoi Ademi, që ishte i pranishëm në seancë gjatë gjithë këtyre zhvillimeve.
Ai thotë se në momentin kur dhuna eskalon, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, thërret policinë të hyjë brenda.
Megjithatë, Ademi thotë se para ardhjes së policisë dhe mbrojtjes së afërt të kryeministrit Kurti, ishte deputeti i LVV-së, Armend Muja ai që nuk e la të lëndohet kryeministrin me trupin e tij. Veç tij, gazetari Ademi tha se ishin edhe deputetët tjerë të pushtetit, Gazmend Gjyshinca e Arbër Rexhaj ata që e mbrojnë kryeministrin derisa vijnë policët.
Kjo situatë, ai thotë se ka zgjatur disa minuta, derisa kryetari i Kuvendit e thërret një pauzë gjysmë orëshe.
Ademi thotë se Konjufca del i vetëm nga salla, pa i ftuar shefat e GP-ve të partive parlamentare për ndonjë konsultë apo marrëveshje politike që të vazhdohet me mbarëvajtjen e seancës.
Megjithatë, pas kthimit, Konjufca e çoi sërish Kuvendin në pauzë për 2 orë tjera.
Po, me t’u kthyer, deputetët e PDK-së nuk lejuan vazhdimin as të seancës së lënë në gjysmë, e as mocionin për seancë të jashtëzakonshme të propozuar nga LVV-ja.
Edhe në pjesën e dytë të kësaj seance pati tendenca për rikthim të dhunës. “Aty po ashtu pati tendenca për një përsëritje të dhunës masive. I kemi parë dy raste, kur Hajdar Beqa i PDK-së dhe Halil Thaçi i LVV-së gati sa nuk i shpërndajnë grushtet sërish. Pastaj Rashit Qalaj i PDK-së dhe Salih Zyba e LVV-së… në të dy rastet ndërhyjnë deputetët tjerë dhe e shmangin dhunën e sërishme”, deklaroi gazetari Haris Ademi.