Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ripërsëritur kërcënimin e tij ndaj Iranit që të arrijë një marrëveshje mbi programin bërthamor, duke paralajmëruar se në të kundërtën Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një sulm “shumë më të ashpër” sesa ai i vitit të kaluar.
Trump tha të mërkurën se një “armatë e madhe” amerikane po i afrohet Iranit, me kryqëzues, avionë dhe mjetet e tjera luftarake të komanduar nga grupi i aeroplanmbajtësit USS Abraham Lincoln. Ai kërkoi që Teherani të “vijë në tryezë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë — pa armë bërthamore”, duke thënë se koha po mbaron.
Trump përmendi sulmet ajrore amerikane dhe izraelite të vitit të kaluar kundër objektivave bërthamorë iranianë, duke paralajmëruar se sulmi i radhës do të jetë “shumë më i keq” nëse Irani refuzon të negociojë një marrëveshje të re për kufizimin e programit të tij bërthamor.
Në anën tjetër Irani ka kërcënuar se do të “përgjigjet fuqishëm” ndaj çdo sulmi amerikan dhe ka theksuar se negociatat nuk mund të zhvillohen nën kërcënime ushtarake. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se forcat e armatosura janë gati për të reaguar, ndërsa Teherani përsëriti gatishmërinë për një marrëveshje të drejtë dhe pa frikësime, që respekton të drejtën e tij për teknologji bërthamore pa armë.
Tensionet janë rritur edhe për shkak të shtypjes së protestave antiqeveritare në Iran dhe vendosjes së forcave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, gjë që ka ngritur shqetësime për një përshkallëzim të konfliktit

