Kameramani nga Sarajeva, Sulejman Mulaomeroviç, kujton filmimin e vrasjes së një vajze shqiptare 16-vjeçare në Kosovë në vitin 1990 dhe efektet zinxhir që pasuan.
Si kameraman në Bosnje dhe Hercegovinë, Sulejman Mulaomeroviçi dokumentoi rrethimin e Sarajevës nga fillimi deri në fund, por, për të, shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë kishte nisur dy vjet më herët, në një fshat në verilindje të Kosovës.
Në kohën kur Mulaomeroviçi mori thirrjen për të shkuar në Kosovë, në fund të janarit 1990, Jugosllavia socialiste tashmë po shikonte drejt humnerës, mes një marrje të pushtetit Sllobodan Millosheviçi i Serbisë dhe thirrjeve gjithnjë e më të forta për pavarësi në Slloveni dhe Kroaci.
Në vitin 1989, Millosheviçi ia hoqi autonominë Kosovës me shumicë shqiptare dhe i largoi shqiptarët nga vendet e punës në sektorin publik. Shpërthyen protesta, të cilat hasën një reagim brutal nga ana e policisë serbe.
“Përpara gjykatës në Prishtinë, mijëra njerëz brohorisnin ‘Demokraci!’, duke kërkuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme që kishte zgjatur një vit, lirimin e të burgosurve politikë dhe fundin e gjyqeve politike”, kujton Mulaomeroviçi, 72 vjeç, në një intervistë nga shtëpia e tij në Sarajevë.
Mulaomeroviçi ishte kameraman për Radio Televizionin e Sarajevës. Edhe në Bosnjën e tij të lindjes po shtoheshin thirrjet për pavarësi dhe trazirat në Kosovë shiheshin si një tjetër dëshmi e agresivitetit në rritje të Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviçit.
Më 1 shkurt 1990, pasi kishin filmuar në Prishtinë, Mulaomeroviçi dhe ekipi i tij morën lajmin për një tjetër protestë në Podujevë, në veri të Prishtinës. Gjatë rrugës, ata hasën tanke dhe automjete policie në fshatin bujqësor Lupç i Poshtëm, si dhe qindra protestues.
Policia u bëri shenjë t’i linin të kalonin, por me një paralajmërim: “Kujdes dhe mos filmoni.”
Megjithatë, kur policia filloi të hidhte gaz lotsjellës, Mulaomeroviçi gjeti një vend të sigurt nga ku të filmonte.
“Në fillim, milicët hodhën granata me gaz lotsjellës mbi turmën. Pastaj i urdhëruan demonstruesit të shtriheshin përtokë dhe qëlluan mbi kokat e tyre me mitraloz”, tha ai.
“Gazi lotsjellës arriti edhe tek unë dhe nuk shihja dot, por kamera ishte e fiksuar dhe vazhdonte të filmonte. Dëgjova britma dhe të shtëna. Pastaj pashë njerëz që mbanin një vajzë. Ajo ishte qëlluar nga një mitraloz i shkrepur nga një kolone milicësh serbë.”
Vrasja do të jehonte në të gjithë federatën që po shpërbëhej dhe më gjerë.
Ishte qëlluar në kokë

Ylfete Humolli ishte 16 vjeçe dhe kishte lënë shkollën për t’iu bashkuar protestës së bashku me vëllain e saj më të vogël, Mentorin, atëherë 14 vjeç.
Sipas Mulaomeroviçit, ajo u qëllua dy herë në kokë. “Më kujtohet se kishte veshur një xhaketë gri”, tha ai.
Pasi u kthye në Prishtinë dhe po rishikonte pamjet që kishte xhiruar, Mulaomeroviçi vuri re një veturë policie dhe dy policë, të cilët kishin ngritur armët dhe kishin qëlluar mbi turmën.
“Policët kishin dalë nga automjeti dhe qëllonin ndaj demonstruesve”, tha ai. “Atëherë u bë e qartë se plumbat vdekjeprurës kishin ardhur prej tyre.”
Dhjetëra njerëz vdiqën në trazirat që pasuan shfuqizimin e autonomisë së Kosovës nga Millosheviçi. Por vdekja e Humollit ishte veçanërisht tronditëse.
Atë pasdite, Mulaomeroviçi dhe kolegët e tij shkuan të montonin pamjet në Radio Televizionin e Prishtinës, i cili në atë kohë ende transmetonte në gjuhën shqipe, dhe siguruan sinjalin për të transmetuar në TV Sarajeva.
“Ndërsa po montonim, një redaktor në TV Prishtina vendosi ta transmetonte materialin”, tha ai.
“Në të njëjtën kohë, një ekip nga televizioni gjerman ZDF ofroi një shumë të madhe parash për pamjet, por ne refuzuam.”
Pamjet patën një ndikim të menjëhershëm. “Mediat ndërkombëtare po raportonin se policia kishte hapur zjarr ndaj fëmijëve”, tha Mulaomeroviçi.
Gjatë dy muajve në vijim, Serbia vendosi masa edhe më represive, përfshirë ndalimqarkullimin gjatë natës, dhe, në korrik 1990, mbylli me forcë Radio Televizionin e Prishtinës, duke larguar nga puna të gjithë punonjësit shqiptarë.
Mulaomeroviçi kujton se atëherë diskutonte me kolegët “se sa e vështirë ishte të imagjinohej ndonjë pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve”.
Pamjet e tij u transmetuan në Sarajevë, Prishtinë, Lubjanë dhe Zagreb, duke shkaktuar zemërim në Beograd.
“Atëherë kuptova diçka”, tha Mulaomeroviçi. “Atë ditë, filloi lufta.”
Largimi fshehurazi nga Kosova

Natën vonë, Mulaomeroviçi dhe ekipi i tij morën një telefonatë nga Sarajeva, me këshillën që të mos ktheheshin nga e njëjta rrugë që kishin ndjekur për të ardhur në Kosovë. Ata po qëndronin në Hotel Grand, në qendër të Prishtinës.
“I nxorëm nga hoteli përmes bodrumit dhe rregulluam që një shofer taksie rom, të quajtur Ramiz, i cili do t’i kalonte përmes pikës kufitare të Glloboçicës drejt Maqedonisë”, kujtoi Albert Mirdita, i cili punonte në hotel në atë kohë dhe sot është drejtor në detyrë i tij. “Ata udhëtonin në një makinë pas tij.”
Lufta shpërtheu me intensitet të plotë vitin pasues, fillimisht në Kroaci, e më pas në Bosnje në vitin 1992. Shqiptarët e Kosovës ndoqën një politikë rezistence paqësore, derisa në fund të viteve ’90 guerilët morën armët dhe Millosheviçi u përgjigj me një fushatë shtypëse tepër brutale, e cila detyroi gati një milion shqiptarë të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe la mijëra të vrarë, përfshirë edhe Mentor Humollin, vëllain e Ylfetes.
Vëllai i tyre më i vogël, Jetoni, kujton se si prindërit e panë vrasjen e motrës së tij në televizion.
“Atëherë isha gjashtë vjeç, por u rrita duke parë atë video”, tha Jetoni për BIRN. “Mendoj se ajo video bëri që bota t’i kthente sytë nga ajo që po ndodhte në Kosovë.”
Plagë fizike dhe emocionale

Lufta mbërriti në Bosnje në fillim të vitit 1992.
Mulaomeroviçi jetonte me familjen pranë varrezave hebraike të Sarajevës, përballë Grbavicës, “një lagje plot snajperë”.
Ai kujtoi se një koleg serb, Vladimir Divjak, ia dha çelësat e apartamentit të tij që Mulaomeroviçi të mund ta largonte familjen nga vija e frontit.
Megjithatë, puna e Mulaomeroviçit nënkuptonte se ai shpesh gjendej në vijën e zjarrit.
Në qershor 1992, ndërsa po shkonte në një konferencë për shtyp në Holiday Inn të Sarajevës, një snajper qëlloi makinën në të cilën udhëtonin ai dhe ekipi i tij, duke plagosur pasagjerët.
“Ndihma e parë na u dha aty për aty, në recepsionin e hotelit”, tha ai.
Ai u plagos për herë të dytë në nëntor të po atij viti, ndërsa po filmonte trupat e disa grave të vrara para një ndërtese të lartë të përdorur nga snajperët. “Një snajper më goditi në gju dhe në dorë”, tha ai.
Në prill 1993, Mulaomeroviçi u plagos rëndë ndërsa po filmonte një ofensivë të Ushtrisë Boshnjake në malin Igman. Sipas tij, kirurgë të Mjekëve pa Kufij e operuan në Gorazde.

“Askush nuk besonte se do të mbijetoja dhe u dërgova në Zenicë për një tjetër operacion.”
Pastaj, vetëm katër muaj më vonë, një predhë artilerie ra në vendin ku ai, gruaja e tij, tri vajzat e tyre, të afërm të tjerë dhe fqinjë po qëndronin pranë Akademisë së Arteve. Gjashtë fëmijë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën, përfshirë edhe vajzën e Mulaomeroviçit, Elmën.
“Kur bie një predhë, nuk sheh gjak në mure apo në dysheme. Gjaku mbulohet nga pluhuri”, tha ai. “Shikon vetëm mish të zhveshur.”
Në dorën e djathtë, Mulaomeroviçi ende ka shenjat fizike të luftës. Ato janë shëruar, por kujtimet e punës së tij vazhdojnë ta ndjekin.
“Nuk mund ta harroj kurrë tregun Markale, trupat e copëtuar, të shpërndarë kudo”, tha ai, duke iu referuar tregut në qendër të Sarajevës që u godit nga një predhë artilerie e qëlluar nga pozicionet e serbëve të Bosnjës në kodrat përreth më 5 shkurt 1994, ngjarje nga e cila mbetën të vrarë 68 persona.
“Ishte një makth”, tha ai. “Dy gra të shtrira në rrugë pranë fëmijëve të tyre, një tjetër me kokën e hedhur në erë.”
“Filmimi i katër viteve të rrethimit të Sarajevës ishte një përvojë e tmerrshme, diçka që askush nuk mund ta përshkruajë kurrë tamam.” /Kallxo

